Ministri i Punëve të Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një takim me drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit në Shkodër, në kuadër të vizitës së parë të ministrit në territor pas marrjes së detyrës.

Vizita zhvillohet në një periudhë kur siguria në qark është rikthyer në qendër të vëmendjes pas ngjarjeve të rënda kriminale të muajve të fundit. Pas gjashtë muajve të parë të vitit pa asnjë ngjarje me pasojë vrasjen, bilanci ndryshoi pas 9 korrikut, kur në qark u regjistruan pesë vrasje. Dy prej ngjarjeve më të rënda ndodhën në Dukagjin dhe vijojnë të mbeten të pazbardhura.

Më 11 korrik, Aleksandër Koçeku u vra në një pritë, ndërsa më 23 gusht, Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u ekzekutuan me armë zjarri në Dukagjin. Sipas të dhënave, në drejtim të tyre u qëllua me më shumë se 90 plumba. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, por deri tani autorët nuk janë identifikuar dhe arrestuar.

“Besimi nuk jepet, besimi fitohet. Dhe fitohet me punë të përditshme”, u shpreh Demo, duke kërkuar forcimin e marrëdhënies së Policisë me komunitetin përmes integritetit, korrektësisë dhe rezultateve të qëndrueshme.

Ministri vlerësoi punën e efektivëve dhe theksoi se mbështetja ndaj tyre duhet të shoqërohet me angazhim maksimal dhe objektiva të matshëm për çdo drejtori, të cilat do të ndiqen dhe vlerësohen periodikisht. Në fokus të veçantë Demo vendosi edhe luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete.

Demo nënvizoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve të Policisë, veçanërisht në drejtim të logjistikës, flotës së mjeteve dhe trajtimit financiar, duke bërë të ditur se po shqyrtohen mundësi për ndërhyrje konkrete duke nisur nga viti 2027.

Duke e lidhur sigurinë me zhvillimin ekonomik të Shkodrës dhe rritjen e turizmit, ministri kërkoi një bashkëpunim edhe më të ngushtë të Policisë me institucionet vendore, për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të komunitetit dhe vizitorëve.

Në përfundim, Demo vlerësoi dy punonjës të Policisë së Shtetit për kontributin e tyre, si shembuj pozitivë të profesionalizmit dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve.