Ministri i Punëve të Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një takim me drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit në Shkodër, në kuadër të vizitës së parë të ministrit në territor pas marrjes së detyrës.
Vizita zhvillohet në një periudhë kur siguria në qark është rikthyer në qendër të vëmendjes pas ngjarjeve të rënda kriminale të muajve të fundit. Pas gjashtë muajve të parë të vitit pa asnjë ngjarje me pasojë vrasjen, bilanci ndryshoi pas 9 korrikut, kur në qark u regjistruan pesë vrasje. Dy prej ngjarjeve më të rënda ndodhën në Dukagjin dhe vijojnë të mbeten të pazbardhura.
Më 11 korrik, Aleksandër Koçeku u vra në një pritë, ndërsa më 23 gusht, Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u ekzekutuan me armë zjarri në Dukagjin. Sipas të dhënave, në drejtim të tyre u qëllua me më shumë se 90 plumba. Hetimet për të dyja ngjarjet vijojnë, por deri tani autorët nuk janë identifikuar dhe arrestuar.
“Besimi nuk jepet, besimi fitohet. Dhe fitohet me punë të përditshme”, u shpreh Demo, duke kërkuar forcimin e marrëdhënies së Policisë me komunitetin përmes integritetit, korrektësisë dhe rezultateve të qëndrueshme.
Ministri vlerësoi punën e efektivëve dhe theksoi se mbështetja ndaj tyre duhet të shoqërohet me angazhim maksimal dhe objektiva të matshëm për çdo drejtori, të cilat do të ndiqen dhe vlerësohen periodikisht. Në fokus të veçantë Demo vendosi edhe luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, duke kërkuar angazhim të vazhdueshëm dhe rezultate konkrete.
Demo nënvizoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve të Policisë, veçanërisht në drejtim të logjistikës, flotës së mjeteve dhe trajtimit financiar, duke bërë të ditur se po shqyrtohen mundësi për ndërhyrje konkrete duke nisur nga viti 2027.
Duke e lidhur sigurinë me zhvillimin ekonomik të Shkodrës dhe rritjen e turizmit, ministri kërkoi një bashkëpunim edhe më të ngushtë të Policisë me institucionet vendore, për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të komunitetit dhe vizitorëve.
Në përfundim, Demo vlerësoi dy punonjës të Policisë së Shtetit për kontributin e tyre, si shembuj pozitivë të profesionalizmit dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, gjatë takimit me policinë e Shkodrës, ku ishte i pranishëm edhe ministri Ervin Demo, vuri theksin te rritja e forcës parandaluese, goditja e paligjshmërive në qark dhe etika në komunikim.
Ai kërkoi forcim të mëtejshëm të forcës parandaluese dhe goditëse, për goditjen e grupeve kriminale, kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë dhe/ose drogë, si dhe kapjen e personave që merren me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm.
“Krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë pothuajse 50% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht kësaj statistike, krimet kundër personit, kryesisht ato të mbartura nga vitet e kaluara, janë probleme që kërkojnë angazhim maksimal dhe profesionalizëm. Në këtë kuadër, besoj se, në zbatim të porosisë që ju kam lënë, po vijoni me studimin e të gjitha dosjeve të vjetra dhe me analizën e vrasjeve të së kaluarës”, tha Hita.
Për luftën kundër kultivimit të kanabisit, Hita theksoi se ka kërkuar goditje në burim ndaj organizatorëve dhe financuesve e jo vetëm asgjësim të bimëve. Sipas tij, gjatë këtij viti rreth 122 mijë fidanë janë asgjësuar pa u hedhur në tokë për kultivim, krahasuar me rreth 8500 fidanë në të njëjtën fazë, të asgjësuar vitin e kaluar.
Më tej, Hita tha se siguria në shkolla mbetet një detyrim i panegociueshëm, përmes masave si siguria rrugore, siguria ushqimore, siguria kibernetike dhe goditja e çdo tentative për shitje droge në perimetrin e shkollave.
Gjithashtu, kryepolici kërkoi standard të lartë etike dhe profesionalizmi nga punonjësit e Policisë, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve.
“Shkodra është qark që frekuentohet nga shumë vizitorë e turistë dhe kjo kërkon më shumë etikë e angazhim. Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, për të zbatuar ligjin dhe për të goditur këdo që e shkel atë, pa dallim. Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë”, tha ai.
Në përmbyllje të takimit, një punonjës i Policisë Shkodër dhe një punonjëse e Kufirit dhe Migracionit u vlerësuan me certifikata “Për shërbime të dalluara”, të cilat iu dorëzuan në prani të ministrit të Brendshëm.










Komente
Komento