Më shumë se 68 mijë kontrolle ka kryer AKU në 8 muaj për të garantuar standardet e sigurisë ushqimore, prej të cilave më shumë se 5 mijë inspektime ishte me bazë risku.

“Siguria ushqimore është një nga fushat ku procesi i integrimit evropian kërkon prej nesh jo vetëm përafrimin e legjislacionit, por mbi të gjitha ngritjen e një sistemi që funksionon realisht sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Salla.

Në komisionin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministri Andis Salla u ndal edhe tek mostrat e marra për analiza për produktet shtazore të importuara.

“Në zbatim të planit të monitorimit të mbetjeve për produktet shtazore të importuara nga vende të treta, gjatë vitit 2026 janë marrë 44 mostra; 30 prej tyre ishin produkte nga Brazili, përkatësisht 22 mostra mishi pule dhe 8 mostra mishi derri”, tha ministri.

Ministri tha se gjatë këtij viti janë identifikuar 2 raste mishi pule të importuar nga Brazili me mbetje substancash veterinare, njëra prej sasive thotë ministri ishte treguar përpara se të mbyllej verifikimi.

“Në dy raste të mishit të pulës nga Brazili gjatë periudhës janar–gusht janë konstatuar mbetje substancash veterinare. Në njërin rast, sasia ishte e bllokuar dhe e izoluar në mjediset frigoriferike të operatorit; të dhënat e kontrollit tregojnë se ajo nuk kishte dalë në treg. U njoftuan sistemet RASFF dhe INFOSAN dhe produkti u kthye në vendin e origjinës. Në rastin tjetër, produkti ishte tregtuar përpara përfundimit të verifikimit; u kërkua gjurmimi dhe njoftimi i klientëve dhe u morën masat administrative përkatëse. Këto dy raste tregojnë pse bllokimi para shpërndarjes dhe dokumentimi i çdo hallke të furnizimit janë vendimtarë”, tha ministri.

Salla theksoi se pavarësisht se deri më tani është ndaluar importi nga ky shtet për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, po vlerësohet me kujdes edhe importi i mishit të derrit.

“Për importet nga Brazili, nga 3 shtatori 2026 janë zbatuar ndryshimet që lidhen me listimin evropian për mishin e gjedhit dhe të shpendëve. Për këto kategori nuk lejohen importet në kushtet e reja të listimit, pikat e kontrollit dhe subjektet importuese janë njoftuar. Zbatimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, i dokumentuar dhe i shoqëruar me kontrollet që kërkon çdo ngarkesë. Gjithashtu lidhur me çështjen e mishit te derrit janë marrë komunikime me palën e Brazilit lidhur me rishikimin e marrëdhënieve tregtare. Kur një analizë tregon jokonformitet, ose kur një produkt paraqet rrezik të arsyeshëm për shkak të skadencës apo gjendjes së tij, veprimet që ne ndërmarrim janë të qarta: bllokim, verifikim i lotit dhe i zinxhirit të shpërndarjes, tërheqje ose kthim kur duhet, njoftim i konsumatorit dhe asgjësim sipas rastit”, tha Salla.

Gjatë periudhës janar–shtator, AKU ka marrë 34 njoftime përmes sistemit RASFF, ndërsa Shqipëria ka përcjellë 16 njoftime për raste të evidentuara nga kontrollet tona.

Në Komisioni ministri deklaroi gjithashtu se brenda këtij viti pritet të jetë gati edhe një program kombëtar për përmirësimin e standardeve të qumështit.

“Gjatë vitit 2026, nga 904 stabilimente të planifikuara për vlerësim, janë vlerësuar 696; 208 rezultuan të mbyllura, të pezulluara, në rikonstruksion ose të çregjistruara. Nga stabilimentet e vlerësuara, 19 u renditën në kategorinë I, 204 në kategorinë II, 453 në kategorinë III dhe 20 në kategorinë IV. Këto të dhëna na japin një pasqyrë konkrete të gjendjes dhe na lejojnë t’i themi çdo operatori se çfarë duhet të përmirësojë. Puna që po bëjmë tani është që ky vlerësim të kthehet në masa konkrete. Synojmë që deri në dhjetor 2026 të përgatitet Programi Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Për çdo operator duhet të jetë e qartë çfarë duhet të korrigjojë, brenda çfarë afati dhe si do të verifikohet progresi”, tha Salla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:49
'Qumësht lope' në etiketë po me pluhur në përbërje? Salla paralajmëron: Nga 1 janari 2027 kontroll çdo etikete, mashtrimi do të ndëshkohet

1791294650_saliberisha.jpeg

Në Tiranë do të ngrihet Laboratori i Qumështit, i cili do të japë rezultate më të sakta mbi cilësinë dhe standardet e qumështit në vend. Teksa i përgjigjet shqetësimeve të ngritura nga opozita për përdorimin e qumështit pluhur edhe në baxho, ministri Salla tha se nga 1 janari nis kontrolli i etiketave për çdo produkt që tregtohet.

“Në vendet e BE qumështi pluhur nuk përdoret në baxho, tek ne vazhdon. Kemi prodhime shqiptare që pretendohen produkt i freskët por kanë qumësht pluhur, po flas për baxhot. Nuk bëhet fjalë për mashtrim të qytetarëve por edhe për sigurinë ushqimore. Kemi edhe produkte në treg që ndërtohen me vaj palme”, tha Cara.

“Ne po investojmë për laboratorin e qumështit që do të jetë në Tiranë, ndërkohë me miratimin e ligjit për kontrollet zyrtare, do të kemi edhe kontrollet për etiketimin e të gjitha produkteve, që do të kemi në treg për konsumatorët. Pra nga 1 janari çdo produkt në treg do të kontrollohet për etiketimin. Nëse qumështi në etikete lexon qumësht dele, dhie, apo lope, dhe në përmbajte ka përmbajtje tjetër apo qumësht pluhur do të ketë masa ndëshkuese për çdo subjekt. I kemi lajmëruar subjektet në raport me origjinën e produkteve e deri tek qumështi pluhur, hirra e qumështit, vaji i palmës, aflatoksinës etj”, tha ministri Salla.

Ora 15:13
Ministria e Bujqësisë nxjerr urdhrin: Çdo ngarkese me misër të importuar do t’i bëhen analizat në doganë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot se çdo ngarkesë me misër të importuar do t'i bëhen analizat në doganë. 

"Për misrin e importit ne kemi nxjerrë një urdhër kemi vendosur që çdo sasi që vjen nga importi të kalojë në analizë në mënyrë që ne të kontrollojmë standarde. Çdo ngarkesë importi kalon në analizë në doganë më pas nëse ka probleme merren masa nga AKU, si asgjësimi apo kthimi në vendin e origjinës" tha Salla. 

Drejtuesja e AKU, Blerina Gjylameti tha se 13 ngarkesa misri të importuara nuk kanë rezultuar konform standardeve. Gjylameti sjellë rastin e një subjekti ushqimor në Shkodër i cili kishte importuar 130 tonë misër me aflatoksinë, dhe pavarësisht se kishte detyrim bllokimin e sasisë, deri në përgjigjen e analizave, ai e kishte përdorur për ushqim për pulat.

“Në rastin e misrit me aflatoksinë kemi patur për 398 ton misër të importuar nga Serbia, nga Kroacia dhe nga Greqia, nga të cilët vetëm 13 raste kanë rezultuar të jenë jo konform, pra kanë rezultuar me aflatoksinë, nga të cilët në rastin e Shkodrës ka patur 130 ton misër të importuar nga ky operator i biznesit ushqimor dhe ka patur një bllokim të tij, derisa të dilte përgjigja e analizave të marra për të parë me çfarë përbërje kishte misri. Ndërkohë nga operatori i biznesit ushqimor kishte cenuar të gjitha shenjat e bllokimit dhe ishte dhënë për konsum pulave ky misër. Në këtë aspekt përsëri nga ana e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka patur një kallëzim në prokurori për operatorin e biznesit ushqimor dhe përfaqësuesit e tyre dhe ndërkohë ka patur masa të largimit nga detyra të shtatë inspektorëve dhe largimin e drejtorit të drejtorisë rajonale të Shkodrës”, tha Gjylameti.

Ora 15:10
Tonelata peshqish ngordhën nga tharja e rezervuarit Kasharaj, ministri Salla: Liqeni do popullohet sapo të kthehet në normalitet

1790093044_andissalla.jpg

Në komision, ministri i bujqësisë Andis Salla u përgjigj edhe për ngordhjen e peshqve në rezervuarin Kasharaj në Lushnje, i cili tha se është kompetencë e pushtetit vendor, por deklaroi se rezervuari do të popullohet përsëri pasi të kthehet në normalitet.

“Me një VKM ja kemi kaluar  qeverisjes vendore lidhjen e kontratës për peshkimin si dhe monitorimin apo administrimin e tyre, në mënyrë që qeveria vendore të ketë një ide të plotë edhe për vaditjen në territor. Subjekti që ka qenë i licencuar në rastin e Lushnjes i ka mbaruar kontrata në vitin 2022, ka qenë i licencuar deri në 2022 për rritjen e peshkut. Nga ana e ministrisë do ta ripopullojmë, do të hedhim rasatet pasi të bëhen të gjitha procedurat e tjera dhe të kthehet në normalitet i gjithë liqeni që kjo histori të shkojë në normalitet”, tha Salla.

Tonelata peshqish ngordhën në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë në fund të shtatorit, gjatë punimeve për riparimin e shkarkuesit kryesor. Në hetim është marrë drejtuesi i kompanisë që kishte fituar tenderin nga bashkia Ferdinand Marra, i cili dyshohet se ka boshatisur rezervuarin për të rregulluar defektin.

Alarmi u dha më 29 shtator, kur sipërfaqja e rezervuarit pothuajse tërësisht e tharë nxori në pah tonela me peshq të ngordhur.