Edhe pse drejtësia po heton mbi Ron Yeffet, Partia Demokratike është e bindur se ai është pjesë e një skeme mafioze të grabitjes së parave të buxhetit të shtetit, me përfitues real kryeministrin Edi Rama.

Sipas Sali Berishës, janë vetë dokumentat zyrtare që e vërtetojnë këtë, duke shtuar se Shoqëria Timak, ku Yeffet është aksioner, nuk plotësonte asnjë kriter për të hyrë në bashkëpunim me kompaninë shtetërore KAYO për prodhimin e armëve. Kreu i PD pretendoi se kompanitë e lidhura me biznesmenin Ron Yeffet kanë përfituar deri tani 45 milionë euro nga fondet publike si dhe prona shtetërore.

“Në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro. Kësaj here fillon me një podcast, ku një zonjë, që do ta quajmë tani e tutje Miss Autoblindi ose Arjeta Puca, dëshmon në studion e podcast-it të Edi Ramës se ajo bën mrekullira, se ajo prodhon makineri ushtarake të klasit ndërkombëtar, midis tyre edhe autoblinda. Pas kësaj, Edi Rama miraton ligje dhe vendime për të ndërtuar këtë skemë piramidale të tmerrshme, por kësaj here kryekëput në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Kompania e famëziut Ardi Veliu, që u krijua për këtë qëllim, shpejt bashkohet me Roni Yeffet duke i dhënë atij 80 përqind të aksioneve, aksione të cila të bazuara në fonde publike dhe pronë shtetërore. Imagjinoni ju, Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-kombinatin e traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Bëhet pronar i tokave që plaçkisin në privat. Që të gjitha shartimet që kanë bërë njëri me tjetrin me kompani të ndryshme nga më absurdet, duke shitur kompani me 1 euro, kompani me kapital 1.5 euro. I gjithë rrjeti i kompanive është në kundërshtim flagrant me standardet e përcaktuara për kompani të kësaj fushe. Kompani me 1 euro, e cila sipas ligjit duhet të ketë 20 milionë euro kapital”, thotë Berisha.

Për llogari të kësaj skeme, kryedemokrati Berisha pretendon se Yeffet bleu armë nga vendet e treta duke u vënë etiketën e prodhimeve shqiptare. 

"Roni Yeffet me Miss Autoblindin blinin armë në zona lufte, në Sudan dhe në vende të tjera të Afrikës, i sillnin në Shqipëri, u vinin etiketa shqiptare në një mashtrim të madh për t’i shitur në Ukrainë, në të cilin për hir të së vërtetës, përfaqësuesit e atij vendi ua thonë haptas se ne i blemë me tendera të hapur, jo direkt siç kërkonin këta", vijoi Berisha. 

Berisha thotë se informacionet që ka PD do t’i vërë edhe në dispozicion të partnerëve ndërkombëtarë duke nisur nga të gjitha ministritë e mbrojtjes së vendeve të NATO-s por edhe vetë aleancën. 

“Të gjitha provat tona do t'i dorëzojmë në institucionet, në SPAK, por do i dërgojmë edhe në institucionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe partnerëve tanë.  Imagjinoni ju, në një akt bujarie, miqësie dhe mbështetje, para dy muajsh Kongresi Amerikan miratoi 300 mln dollarë kredi për ushtrinë shqiptare, për mbrojtjen e Shqipërisë. Në qoftë se këto do të përfundonin në duart e zeza të Roni Yeffet dhe Edi Ramës, se s'di ç'të bëhej me to. Ne do të informojmë të gjitha ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vetë aleancën. E pakonceptueshme kjo, ky trajtim”, vijoi Berisha.

Izraelito-amerikani Roni Yeffet, ortak me Arjeta Pucën në kompaninë Timak, hyri në partneritet me KAYO-n, duke krijuar shoqërinë Timak Defence, në të cilën shteti ka vetëm 20 përqind të kuotave. Po kaq Kayo ka dhe në kompaninën tjetër Advanced Arms Technology, po me partner Yeffett-in dhe Pucen, përmes shoqërisë Uno18.

Emri i Yeffett u shfaq në audiopërgjimet e publikuara nga ish zëvendësjkryeministri Arben Ahmetaj, ku ngroheshin dyshime për trafik armësh. Pikërisht pas këtyre audiopërgjimeve, SPAK nisi kryesisht një hetim. Pak ditë më parë, në banesën e Yeffett në Tiranë, në zyrat e Kayos dhe ministrisë së Mbrojtjes u ushtruan kontrolle dhe u sekuestruan një sërë dokumentash.