Banka e Shqipërisë ndalohet të financojë qeverinë: Brukseli i heq politikës butonin e emergjencës

Banka e Shqipërisë ndalohet të financojë qeverinë: Brukseli i heq politikës butonin e emergjencës

12:36, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banka e Shqipërisë do të ndalohet zyrtarisht të financojë dhe të kreditojë qeverinë në mënyrë absolute. Ky është thelbi i një projektligji të ri të depozituar në Kuvend nga deputetja Milva Ekonomi, i cili vjen si një kusht i prerë nga Brukseli për të mbyllur Kapitullin 17 të integrimit evropian.

Edhe pse në përditshmëri Banka e Shqipërisë ka vite që operon me vetëpërmbajtje dhe nuk i mbulon vrimat e buxhetit, ky ndryshim shkatërron përgjithmonë dritaret ligjore që ekzistonin në prapaskenë. 

Së pari, zhduket përfundimisht koncepti i overdraftit. Ligji i vjetër i jepte qeverisë të drejtën të merrte një kredi të përkohshme direkte nga banka qendrore për nevoja të buxhetit. Me formulimin e ri, ky mekanizëm ndalohet në mënyrë të prerë dhe pa asnjë ekuivok. Shteti detyrohet të ketë një disiplinë të hekurt fiskale.

Së dyti, bllokohet rreptësisht tregu primar i borxhit. Banka nuk mund të blejë më bono thesari apo obligacione direkt në momentin kur ato emetohen nga Ministria e Financave.

Përjashtimi i vetëm i lënë në ligj është pastër teknik: nëse bankës i maturohen titujt ekzistues që ka në bilanc, ajo mund të blejë saktësisht të njëjtën vlerë vetëm për të mos dëmtuar strukturën e saj, por me çmim tregu, maturim të njëjtë dhe njoftim paraprak. Askujt nuk mund t'i shitet më borxh i ri "me urdhër".

Stoku ose portofoli i investimeve që Banka e Shqipërisë mban aktualisht në bilancin e saj në formën e titujve të qeverisë shqiptare, bono thesari dhe obligacione, luhatet historikisht në një fashë të rregullt prej 40 deri në 55 miliardë Lekë.

Gjatë viteve të fundit, pesha e Bankës së Shqipërisë në strukturën e përgjithshme të borxhit të qeverisë ka ardhur vazhdimit duke u ulur në mënyrë agresive, duke u stabilizuar sot në rreth 3% deri në 4% të totalit të borxhit publik./Kapitali

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco