Sali Berisha,
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me kompaninë shtetërore KAYO dhe biznesmenin Roni Yeffet. Duke iu referuar asaj që e cilësoi si një skemë mafioze, Berisha tha se kompanisë së Yeffet i janë dhënë deri tani, sipas tij, rreth 45 milionë euro nga buxheti i shtetit, si edhe prona shtetërore me vlerë dhjetëra milionë euro.
Berisha e lidhi nisjen e kësaj skeme me një dalje në podcast-in e Edi Ramës, ku, sipas tij, Arjeta Puca prezantoi aftësitë e saj në prodhimin e mjeteve ushtarake, përfshirë autoblindat. Sipas tij, pas kësaj dalje publike u ndërmorën hapa ligjorë dhe institucionalë për krijimin dhe funksionimin e kompanisë KAYO.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se përmes kësaj skeme ka kaluar fonde publike dhe prona shtetërore në favor të kompanive private. Ai përmendi ndër të tjera pronat në Shkozë dhe në ish-Kombinatin e Traktorëve, si dhe në Zall-Herr.
"Ajo çka është për interesin direkt të qytetarëve se në një skemë mafioze të ndërtuar nga Edi Rama, të mbështetur fuqimisht nga Edi Rama me ligje, me vendime, Roni Yeffet de facto kompanisë së tij nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, nga paratë e tyre, i janë dhënë gjer sot 45 milionë euro. I janë dhënë gjer sot dhjetëra milionë euro pronë shtetërore, përfshi këtu edhe pronat ku ishte e vendosur prej vitesh News24. Përveç këtyre, ky grup mafiozësh shkon dhe plaçkit prona private të qytetarëve shqiptarë në Zall Herr, prona të fituara me të gjithë dokumentacionin, dhe ua marrin familjeve pronat duke u thënë se janë të shtetit. Historia është shumë interesante, e turpshme.
Fillon në mënyrë identike si historia e sterilizimeve me një gërshërë të thyer dhe pinca të ndryshkura. Kësaj here fillon me një podcast, ku një zonjë, që do ta quajmë tani e tutje Miss Autoblindi ose Arjeta Puca, dëshmon në studion e podcast-it të Edi Ramës se ajo bën mrekullira, se ajo prodhon makineri ushtarake të klasit ndërkombëtar, midis tyre edhe autoblinda. Fill pas shfaqjes televizive të Ramës, njëlloj si në sterilizimet me pincat e ndryshkura dhe gërshërët e thyera, Miss Autoblindi na del në Kashar me një autoblind, makineri për ushtrinë dhe zotohet se ajo do të armatosë ushtrinë shqiptare. Pas kësaj, Edi Rama miraton ligje dhe vendime për të ndërtuar këtë skemë piramidale të tmerrshme, por kësaj here kryekëput në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Kompania e famëziut Ardi Veliu, që u krijua për këtë qëllim, shpejt bashkohet me Roni Yeffet duke i dhënë atij 80 përqind të aksioneve, aksione të cila të bazuara në fonde publike dhe pronë shtetërore. Imagjinoni ju, Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-kombinatin e traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Bëhet pronar i tokave që plaçkisin në privat. Që të gjitha shartimet që kanë bërë njëri me tjetrin me kompani të ndryshme nga më absurdet, duke shitur kompani me 1 euro, kompani me kapital 1.5 euro.
I gjithë rrjeti i kompanive është në kundërshtim flagrant me standardet e përcaktuara për kompani të kësaj fushe. Kompani me 1 euro, e cila sipas ligjit duhet të ketë 20 milionë euro kapital. Dhe Piro Vengu deklaronte se kontratat i shqyrton komiteti i mbrojtjes, i cili kryesohet nga Padrinoja. E vërteta është se vendi ka një komitet mbrojtje, i kryesuar nga kryeministri dhe i përbërë nga disa ministra, por e vërteta është se ministrat i kontrollonte Roni Yeffet dhe Edio Rama. Prandaj kompanitë e rrjetit janë që të gjitha pa asnjë kriter, me një kriter të vetëm, të vjedhim, të vjedhim, të vjedhim," tha Berisha./Dosja.al