web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kodi i ri i Procedurës Penale: Përndiqni, dhunoni dhe bëni korrupsion

6 Tetor 2026, 13:46, Editorial CNA

Kodi i ri i Procedurës Penale: Përndiqni, dhunoni dhe bëni

Me tri fjalë, Kodi i ri i Procedurës Penale është përgatitur nga disa profesorë akademikë europianë, të cilët duan t'i japin vendit tonë një Kod të Procedurës Penale që nuk e ka as Suedia, as Norvegjia, të cilin duan ta implementojnë në vendin më të korruptuar dhe më të kriminalizuar të Europës, siç është Shqipëria.  

Profesorët leksione japin, atë punë kanë, marrin dhe ca lekë kur vijnë në këto vendet e Ballkanit Perëndimor, ku hyn dhe Shqipëria, marrin mirë, paguhen “vendçe”, vijnë e japin dhe ca leksione, mbrojnë edhe ato para që marrin dhe na thonë se kemi bërë një Kod sipas standardeve të Europës, BE-së.

Por, në fakt, harrojnë që jemi në një Shqipëri me krim, me korrupsion, me dhunë në familje, me përndjekje dhe me një vulgaritet mjaft të madh në opinionin publik.

Kryeministri Rama na tha se do të ndryshoheshin 100 nene të Kodit të Procedurës e do të ishte ndryshe, nuk do të arrestohej kush për vepra deri në 5 vjet.

Por, në fakt, kryeministri Rama harroi një gjë

Ai harroi t'u thoshte shqiptarëve "më fal" që i ka mbushur burgjet me të paraburgosur për vepra penale që nuk duhet të hynin.  

Le të kujtojmë.

Edi Rama doli dhe tha "kush vjedh energjinë hyn në burg".

U mbushën burgjet me të paraburgosur për çështjen e energjisë, megjithëse ishte një vepër penale që nuk duhet të parashikonte fare burgun.

U vërsul policia, kapi e fut brenda. Humbën jetën njerëz, të cilët varën veten për punë e vjedhjes së energjisë.

 

U mbushën burgjet plot me komandën tjetër të Edi Ramës: "kush ndërton pa leje"? Vërsuluni!

Përpara policia, kapi e futi burgjeve, i mbushi paraburgimet plot me njerëz që ndërtonin avllinë, çatinë, oxhakun apo bënin një dhomë shtesë.

Kullat dhe katet në Tiranë le të shkonin nga 6, 8 apo 10 kate përballë zyrës së kryetarit të bashkisë apo para syve të tyre.

Kemi bërë 100 ndryshime në Kodin e Procedurës dhe për vepra të tilla nuk do të ketë më paraburgim.

Po, siç i do qejfi Ramës: i mbushi 10 vjet burgjet me të paraburgosur për vepra penale që as duhet t'i ndalonte, tani thotë "nuk do t'i ndalojmë më, nuk do të kemi më të paraburgosur".


Por këtu ka edhe një kleçkë, ka futur dhe korrupsionin aktiv.

Pra, kryeministri Rama nuk thotë vetëm "vazhdoni juve, tani mund të vidhni energjinë, tani mund të ndërtoni pa leje, tani edhe mund t'i dhunoni gratë, edhe mund t'i përndiqni se nuk arrestoheni më".

Por thotë edhe: "Mund të bëni dhe korrupsion, mund t'u jepni lekë zyrtarëve, s'ka problem se nuk ju arreston njeri". Ky është fakt.

Edi Rama kërkon të amnistojë dhe të ndryshojë nenin e korrupsionit aktiv.

Pra, një biznesmen, i cili shkon me një shukë me euro, 500,000 euro dhe ia jep një ministri për të marrë një tender 5 milionë euro apo 10 milionë euro, nuk do të quhet më korrupsion aktiv, nuk do të arrestohet, nuk do t'i sekuestrohen provat, nuk do t'i merret telefoni.

Se nuk do më kryeministri të ketë halle nga këto, sepse të gjithë hajdutët e tij i kanë dalë në pazar nga muhabetet e telefonave, nga shukat e eurove, nga vilat, e deri te kryetari i Bashkisë Tiranë që firmoste 850,000 euro veshje për gruan. Ndaj dhe tani ka hall.

Kërkon të mos ketë më korrupsion aktiv. Kërkon që burgjet të mos mbushen më me ata që i mbushi për 10 vjet, por t'i lërë bosh paraburgimet, se tani iu ndërrua mendja kryeministrit tonë, a thua se kemi mbret, jo një kryeministër të zgjedhur nga populli.  

Në fakt, e përkthyer thjesht, Kodi i ri i Procedurës Penale është thjesht një thirrje: përndiqni, dhunoni gratë, bëni korrupsion aktiv, ndërtoni pa leje, vidhni dhe energjinë, se tani Edi Rama nuk ju arreston më, nuk ka më paraburgim për këto vepra penale, megjithëse për disa prej tyre as nuk duhet të ekzistonte paraburgimi.

Por bashkë me ato vepra me të cilat Edi Rama mbushi burgjet, në emër të tyre kërkon të amnistojë edhe korrupsionin, edhe vepra të rënda penale siç është përndjekja, dhunimi i grave dhe korrupsioni aktiv.  

Por në fakt është tjetër vepër ajo e një ndërtimi të vogël pa leje, ajo e vjedhjes së energjisë për nevoja për të mbijetuar, nga korrupsioni aktiv, nga përndjekja, nga dhunimi i bashkëshortes, nga dhuna në familje.

Por Edi Rama i ka bërë të gjitha bashkë dhe thotë "deri në 5 vjet vazhdoni shikoni punën se nuk ju ndalon njeri".  

Ky është Kodi që propozon Edi Rama, i cili nuk bën asgjë më shumë, thjesht do të shtojë krimin e përditshëm, dhunën në familje, përndjekjen, dhe thjesht do të shtojë korrupsionin sepse hajdutët që japin para si bashkëpunëtorë të zyrtarëve të shtetit tani nuk do të arrestohen më./ CNA





Lajmet e fundit nga