Alain Taho do të jetë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran për ndeshjen që Shqipëria do të luajë sonte me San Marinon në “Air Albania”, ora 20:45. Vendimi erdhi pas konfirmimit të mungesës së Alen Sherrit që vuan për shkaqe fizike, ndërsa Etrit Berisha është i pezulluar prej kartonit të kuq në ndeshjen e fundit me Finlandën.
Një zgjedhje sa e guximshme nga trajneri italian, po aq edhe emocionuese për talentin e Interit, i cili përjetoi ditën më të bukur të jetës, duke marrë ftesën për të përfaqësuar ekipin e parë të Kombëtares.
Ky zhvillim i rëndësishëm në kampin kuqezi ka shkuar deri në Itali, aty ku media “FC Inter1908.it”, shkruan për Tahon që aktivizohet gjithashtu me moshat e Interit, U-23.
Një thirrje surprizë – Ishte pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë në miqësoren që këta të fundit zhvilluan me Ukrainën në Hungari, përfunduar në barazim 2-2. I detyruar nga zgjedhjet e limituara në portë me Dajsinanin dhe Simonin, Rolando Maran ftoi Tahon.
Shansi për të shpërthyer – Vlerësimi që mori nga Maran për të qenë pjesë e Kombëtares për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj San Marinos, i jep një ndjesi të mirë vetbesimi portierit të talentuar që të marrë një shtysë për të hedhur një tjetër hap madhor në karrierën e tij. Një ftesë sot i jep atij përgjigjen se në ciklin e Maran, të gjithë janë të mirëpritur dhe kanë një vend në Kombëtare.
