Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur Meksikën. Influencerja 34-vjeçare Cindy Tamez, partneri i saj dhe tre fëmijët e tyre u gjetën të vdekur më 30 shtator në Montemorelos, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbardhin se çfarë ka ndodhur brenda familjes.
Cindy Tamez, e njohur në TikTok për videot e saj rreth modës dhe jetës së përditshme, u gjet e vdekur së bashku me djalin e saj 2-vjeçar, Gustavo, brenda makinës së saj. Pranë tyre u gjet edhe një armë zjarri.
Ndërkohë, partneri i saj, Leodegario Moya, dhe dy djemtë e tjerë, Christian, 12 vjeç, dhe Bruno, 11 vjeç, u gjetën të vdekur në banesën e familjes.
Ajo që e ka bërë edhe më misterioz rastin është pista që po hetojnë prokurorët. Sipas People, autoritetet dyshojnë se Tamez mund të ketë vrarë partnerin dhe tre fëmijët përpara se t’i jepte fund jetës. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë e hetimit dhe nuk është konfirmuar përfundimisht.
Një tjetër detaj ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Në ditën e vdekjes së saj, Tamez publikoi një video në TikTok me një mesazh të pazakontë, ku shkruante se jo të gjithë e njihnin “anën e saj të keqe” dhe se ishte e aftë t’i vinte zjarrin shtëpisë së saj vetëm për të parë atë të fqinjit duke u djegur.
Mesazhi i fundit tani po shqyrtohet në kuadër të hetimit, ndërsa autoritetet po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit të familjes.
Tamez kishte mbi 74 mijë ndjekës në TikTok, ku publikonte kryesisht video për modën dhe stilin e saj.
Sipas People, hetimi vijon dhe autoritetet po analizojnë provat për të përcaktuar se si dhe pse ndodhi tragjedia.
Lini një Përgjigje