Ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare Jeffrey Archer, një nga romancierët britanikë më të shitur. Ish-politikani konservator shiti mbi 300 milionë libra në mbarë botën, por karriera e tij u shënua edhe nga një skandal i bujshëm që e çoi në burg. Libri i tij i fundit, “Adam and Eve”, pritet të publikohet këtë javë.
Jeffrey Archer, një nga shkrimtarët britanikë më të suksesshëm dhe figurë e njohur e politikës konservatore, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Shtëpia botuese HarperCollins njoftoi se Archer vdiq papritur dhe në paqe, në shtëpinë e tij, ndërsa vazhdonte të punonte për librat e tij.
Gjatë një karriere letrare prej rreth pesë dekadash, Archer shiti më shumë se 300 milionë libra në mbarë botën. Ndër veprat e tij më të njohura janë “Kaini dhe Abeli”, “Not a Penny More, Not a Penny Less” dhe seria “Clifton Chronicles”.
Romani i tij i fundit, “Adam and Eve”, pritet të publikohet këtë javë, vetëm pak ditë pas vdekjes së autorit.
Por jeta e Archer nuk ishte vetëm sukses letrar. Ai ishte gjithashtu politikan konservator. U zgjodh deputet në vitin 1969 dhe më vonë u bë nënkryetar i Partisë Konservatore, gjatë periudhës së Margaret Thatcher.
Karriera politike mori një kthesë dramatike pas një çështjeje shpifjeje kundër gazetës Daily Star.
Në vitin 1987, Archer e paditi gazetën pasi ajo pretendoi se ai kishte paguar një grua për marrëdhënie seksuale. Ai fitoi një dëmshpërblim rekord prej 500 mijë paundësh.
Por vite më vonë, çështja u rihap. Archer u akuzua për dëshmi të rreme dhe prishje të drejtësisë dhe në vitin 2001 u dënua me katër vite burg.
Ai kreu rreth dy vite burg dhe gjatë kësaj periudhe shkroi edhe librin “A Prison Diary”, një ditar mbi përvojën e tij në burg.
Megjithatë, skandali nuk e ndaloi karrierën letrare. Librat e Jeffrey Archer u botuan në dhjetëra vende dhe e shndërruan atë në një prej autorëve më të shitur britanikë të të gjitha kohërave.
Një jetë mes politikës, skandaleve, burgut dhe suksesit të jashtëzakonshëm në letërsi, që përfundoi në moshën 86-vjeçare, ndërsa ai ende shkruante. A.K./TemA
Lini një Përgjigje