Nga shkurti i vitit 2025 në qelinë e paraburgimit në Durrës, Erjon Veliaj, zgjedh t’i flasë qytetarëve për herë të parë përmes një video-mesazhi të realizuar me inteligjencë artificiale.
"Prej 20 muajsh vijon pengmarrja ime dhe nuk mund ta bëj këtë përshëndetje veçse me inteligjencë artificiale", shprehet Veliaj përmes videos me AI.
Në material, Veliaj shfaq edhe momente gjatë detyrës, që nga gushti i vitit 2015 kur nisi për herë të parë ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve të reja në Tiranë, me nismën e “adoptimit” nga privati.
"Sot Tirana ka mbi 50 shkolla të reja dhe 115 kopshte e çerdhe të reja. Për të arritur këtu, na u desh t’u përgjigjeshim disa pyetjeve të vështira: ku t’i çojmë paratë, kujt t’i japim përparësi, për cilën Tiranë të punojmë? Ne zgjodhëm të investonim te fëmijët", thotë Veliaj përmes videos me AI.
Megjithëse në izolim dhe në vështirësi për të ushtruar detyrën, Erjon Veliaj thotë se do të përpiqet të realizojë edhe një premtim ende të parealizuar.
“Kam marrë edhe një zotim tjetër, që nuk e harroj: ushqimin në shkolla. Vërtet më kanë kyçur duke më zënë në pritë, por këtë premtim do ta mbaj, sado të duan të më largojnë nga qyteti im dhe i juaji. Tirana është nderi i jetës sime. Për t’ia shpërblyer këtë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur”, vijon mesazhi.
Këtë të martë, në Gjykatën e Posaçme, seanca gjyqësore në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, u shty për më 13 tetor, Shkak u bë bojkoti i avokatëve, që vijon në këtë gjykatë në shenjë kundërshtie ndaj rregullores që censuron punën e tyre dhe të gazetarëve duke mos i lejuar me celularë në salla. Mbrojtësit e të pandehurve u ndëshkuan me nga 50 mijë lekë, ndërsa qytetarit të parë të Tiranës, iu pezulluan afatet e paraburgimit, për të disatën herë.
Mesazhi i plotë i Erion Veliajt:
Teksa lamë pas shtatorin e 12-të të kësaj administrate, doja t’ju përshëndesja e t’ju falënderoja me zemër. Prej 20 muajsh vijon pengmarrja ime dhe nuk mund ta bëj këtë përshëndetje veçse me inteligjencë artificiale.
Këtë shtator, mijëra fëmijë të Tiranës kaluan sërish pragun e një çerdheje, një kopshti apo një shkolle të re. Për ta nisi një vit i ri.
Për mua, këto dyer sjellin ndër mend ditët e para të një pune që e nisëm me bindjen se fëmijët duhet të jenë përparësia e qytetit, në buxhet dhe në punën e përditshme.
Ishte gushti i vitit 2015. Kisha vetëm pak ditë në detyrë kur hyra në Çerdhen nr. 54. Lagështirë, kushte të mjerueshme, mure që tregonin vite të tëra harrese. Ishin 31 çerdhe të qytetit të lëna pa investime, ndërsa fëmijët do të ktheheshin pas dhjetë ditësh.
Pas çdo dere të lënë në atë gjendje ishte një familje që priste, një nënë që shqetësohej, një fëmijë që meritonte më shumë.
Para nuk kishim, por përgjegjësi po. Ndaj bëmë thirrjen “Adopto një çerdhe”. Besuam se Tirana kishte 31 zemra bujare për 31 çerdhe. Ky qytet zemërmadh u përgjigj. Bashkuam bizneset, komunitetin dhe njerëzit që donin të jepnin një dorë. Nisëm punën dhe hapëm dyert.
Pas çerdheve erdhën kopshtet. Pastaj këndet e lojërave dhe shkollat.
A e mbani mend Tiranën e dy turneve? Në 57 shkolla, mbi 14 mijë nxënës e ndanin ditën më dysh. Klasa me 40 apo 50 fëmijë. Prindër që organizonin jetën rreth orareve të pamundura. Mësues që, sado të përkushtuar, nuk kishin kohë për secilin.
Këtë gjendje gjetëm. Ta ndryshonim ishte detyra jonë. Kur tërmeti i vitit 2019 dëmtoi shkollat, përgjegjësia u bë edhe më e madhe. Duhej të rindërtonim dhe t’u kthenim familjeve sigurinë se fëmijët e tyre do të mësonin në kushte të denja.
Sot Tirana ka mbi 50 shkolla të reja dhe 115 kopshte e çerdhe të reja. Për të arritur këtu, na u desh t’u përgjigjeshim disa pyetjeve të vështira: ku t’i çojmë paratë, kujt t’i japim përparësi, për cilën Tiranë të punojmë?
Ne zgjodhëm të investonim te fëmijët. Sepse mundësia për të mësuar në një shkollë të mirë duhet t’i takojë çdo fëmije, në çdo lagje, pavarësisht të ardhurave të familjes.
Këtë ndryshim e njeh nëna që sot e çon fëmijën në çerdhe pranë shtëpisë. E njeh gjyshi që shoqëron nipin në kopsht me autobus, pa paguar biletë. E njeh familja që i gjen çerdhen, kopshtin dhe shkollën në lagjen e vet. E njeh mësuesja që ka më shumë kohë për çdo nxënës.
Këtë punë nuk e bëra vetëm. E bëmë bashkë, me punonjës që vazhduan edhe natën që dyert të hapeshin në shtator; me miq të Tiranës që dhanë ndihmën e tyre; me mësues dhe edukatore që u japin kuptim këtyre ndërtesave çdo ditë. Dhe mbi të gjitha me ju, prindërit.
Sot jam larg këtyre dyerve. Por çdo mëngjes që ato hapen për fëmijët e Tiranës, puna jonë vazhdon të jetojë. Çdo shkollë e ndërtuar është një zotim ndaj familjeve të këtij qyteti. Ai zotim duhet mbajtur çdo vit, me mirëmbajtje, me përkushtim dhe me investime të tjera aty ku ende ka nevojë.
Kam marrë edhe një zotim tjetër, që nuk e harroj: ushqimin në shkolla. Vërtet më kanë kyçur duke më zënë në pritë, por këtë premtim do ta mbaj, sado të duan të më largojnë nga qyteti im dhe i juaji.
Tirana është nderi i jetës sime. Për t’ia shpërblyer këtë nder, do të vazhdoj të punoj edhe nga qelia ku më kanë mbyllur.
Bashkë fituam betejën për shkollat, kopshtet e çerdhet e Tiranës. Nuk do t’ia kisha dalë dot pa ju. Ndaj ju falënderoj me gjithë zemër dhe ju përqafoj me mall, ju dhe fëmijët tuaj të mrekullueshëm.
-
Ha ha ha çfare karagjozi...Njeri me ordiner se tjetri...
Përgjigju










Komente
Komento