Ish-drejtori i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh, tradhti ndaj shtetit dhe sigurim të informacionit të klasifikuar për një fuqi të huaj.
Sipas Prokurorisë Federale gjermane, Hanning, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në 2005 dhe më pas punoi si konsulent privat, dyshohet se ka përdorur informacione sekrete për të hartuar një analizë për një shërbim të huaj inteligjence dhe se ka mbajtur kontakte edhe me një tjetër shërbim të huaj. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë.
Policia arrestoi edhe ish-punonjësin e BND-së, Manfred D., i cili akuzohet se i ka dorëzuar Hanning rreth 2 mijë dokumente të klasifikuara në këmbim të pagesës.
Manfred D., i cili ka qenë shef kabineti i Hanning dhe ka vijuar të punojë në BND deri këtë vit, akuzohet për ndihmë në tradhti ndaj shtetit dhe spiunazh.
Mediat gjermane raportojnë se Hanning u arrestua në banesën e tij në Nordwalde, pranë Mynsterit, ndërsa Manfred D. në Bavari. Hanning pritet të dalë para gjykatës të mërkurën, ndërsa Manfred D. paraqitet të martën.
Sipas prokurorëve, Manfred D., i cili ka shërbyer edhe si shef kabineti për pasardhësit e Hanning nga viti 2012 deri në 2026, ka përdorur pozicionin e tij për të siguruar akses në materiale tepër konfidenciale, të cilat më pas ia ka kaluar Hanning kundrejt pagesës.
Hetuesit dyshojnë se gjatë viteve ai i ka dorëzuar Hanning rreth 2 mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacione të klasifikuara vetëm për përdorim të brendshëm të BND-së.
Prokuroria thotë se në një rast Hanning përdori informacion të klasifikuar për të hartuar një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj inteligjence, ndërsa mbetet e paqartë nëse materiali përfundoi te marrësi i synuar.
Ai akuzohet gjithashtu se për disa vite ka mbajtur kontakte të ngushta me një përfaqësues të një tjetër shërbimi të huaj inteligjence, të cilit i ka përcjellë informacione politike, pjesërisht të bazuara në materialet e siguruara nga Manfred D.
Sipas mediave lokale, dokumentet sekrete që dyshohet se mbante Hanning dolën në dritë gjatë një hetimi tjetër që lidhet me trashëgimtaren e zinxhirit gjerman të restoranteve “Block House”, Christina Block.
Prokuroria e Hamburgut e akuzon Block se organizoi rrëmbimin e dy fëmijëve të saj më të vegjël në vitin 2023 për shkak të një mosmarrëveshjeje për kujdestarinë. Hetuesit pretendojnë se Hanning ishte përfshirë edhe në një tentativë të mëparshme për rrëmbimin e tyre, akuzë që ai e mohon.
Gjatë hetimeve, policia thuhet se gjeti një pajisje elektronike ruajtjeje të dhënash që përmbante informacione të ndjeshme, përfshirë dokumente të fundit të BND-së.
Nuk është hera e parë që shërbimi sekret gjerman përballet me akuza të tilla. Në vitin 2023, një zyrtar i lartë i BND-së u akuzua për tradhti ndaj shtetit pasi dyshohej se kishte kaluar sekrete shtetërore te Rusia. Sipas prokurorëve, Carsten L. kishte ndarë informacione mbi luftën në Ukrainë dhe grupin mercenar Wagner, duke përfituar rreth 400 mijë euro. Procesi ndaj tij vazhdon.

