Dani Olmo dhuron një pjesë të pagës për familjet e prekura nga lufta në Kroaci

Dani Olmo ka ndërmarrë një tjetër gjest humanitar, duke vendosur të dhurojë një pjesë të pagës së tij vjetore për të ndihmuar familjet në Vukovar, një prej qyteteve kroate të prekura rëndë nga lufta e viteve ’90.

Futbollisti i Barcelona-s dhe i kombëtares së Spanjës e ka ndërmarrë këtë nismë si një mënyrë për t’i shprehur mirënjohjen Kroacisë, vend ku ai kaloi disa vite të rëndësishme të fëmijërisë dhe zhvillimit të tij si futbollist, te Dinamo Zagreb.

Olmo e ka nisur këtë kontribut që gjatë periudhës së tij te RB Leipzig, ndërsa tashmë ka vendosur ta vazhdojë edhe pas transferimit te Barcelona.

Swiss Digital Desktop Reklama

Historinë e këtij gjesti e ka rrëfyer Andy Bara, agjenti i Olmos, në një podcast. Sipas tij, futbollisti kontribuon me një pjesë të pagës së tij përmes organizatës Common Goal. Shifra e përmendur nga Bara është 2%, ndërsa të dhënat e Common Goal e përcaktojnë kontributin në 1%.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vetë Olmo e konfirmoi donacionin në një konferencë për shtyp përpara ndeshjes së Nations League mes Kroacisë dhe Spanjës.

“Nuk e dija që kjo do të bëhej publike. Kur u largova, ndihesha në borxh me Kroacinë dhe doja t’ia ktheja në një mënyrë. Vendosëm të bënim këtë donacion për familjet e Vukovarit. Ndihesha borxhli dhe mendova se kjo ishte mënyra më e mirë”, u shpreh Olmo.

Donacioni nuk do të kufizohet vetëm te Vukovari, por do të mbështesë edhe komunitete të tjera të prekura nga pasojat e luftës, përfshirë Slavonski Brod.

Mesfushori spanjoll ka treguar gjithashtu se ka vizituar zonat ku do të shkojë mbështetja, duke marrë pjesë edhe në aktivitete sportive me fëmijë.

“Kam qenë atje me djemtë dhe kemi luajtur pak. Bëmë disa aktivitete sportive. E ndjeja se duhet t’i jepja diçka Kroacisë dhe mendova se ta bëja përmes Common Goal ishte mënyra më e mirë”, tregoi futbollisti.

Common Goal është një organizatë solidariteti e themeluar nga ish-futbollisti spanjoll Juan Mata, e cila mbledh kontribute nga futbollistë profesionistë dhe i orienton ato drejt projekteve sociale.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?