Një situatë e rëndë me menaxhimin e mbetjeve është denoncuar në Kuçovë nga ish-kandidati për Bashkinë, Lefter Maliqi, i cili ngre shqetësimin për grumbullimin masiv të plehrave në zonën e Përpunimit të Kuçovës dhe djegien e tyre.
Sipas Maliqit mbetjet janë grumbulluar në sasi të mëdha në një hapësirë që shtrihet për më shumë se një kilometër, ndërsa situata është rënduar edhe më tej pas përfshirjes së tyre nga zjarri.
Në reagimin e tij, Maliqi deklaron se situate është pasojë e paaftësisë, abuzimit dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të fondeve publike për shërbimin e pastrimit, duke iu referuar një kontrate që, sipas tij, kap vlerën e 1.7 miliardë lekëve.
Reagimi i Maliqit:
Tym e flak! Krim i rëndë mjedisor, tek Përpunimi i Kuçovës, ku plehrat ishin grumbuj të mëdhenj në mbi 1 km, i vënë zjarrin! Paaftësi, abuzim, papërgjegjshmëri, krim i rëndë ndaj banorëve të Kuçovës, rrezik sëmundjesh!
Koha e fasadave të tyre me konkurse, koncerte ,tender korruptiv 1 miliard e 700 milion të pastrimitr e ndonjë investim kohët e fundit, për të mashtruar popullin, ka mbaruar!
Së bashku t’i ndëshkojmë këta hajdutë e abuzues me taksat tuaja, të kthejmë Kuçovën në kantier ndërtimi dhe shembull zhvillimi në vend!












