Fusha e mbetjeve në flakë, ndotje e madhe në zonën mes Bulqizës e Klosit
Fusha e mbetjeve që depozitohen nga Bashkia e Bulqizës dhe ajo e Klosit mbi fshatin Plan i Bardhë vijon të jetë në flakë prej disa ditësh.
Ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse ka qenë jo efektive pasi mbetjet e grumbulluara ndër vite po digjen ngadalë dhe fikja plotësisht është thuajse e pamundur me mjete zjarrfikëse.
Sakaq, problem mbetet ndotja që po i shkaktohet zonës nga kimikatet që çlirohen si pasojë e djegies së mbetjeve plastike.
Prania e tymit është bërë shqetësim i madh për të gjithë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në aksin Qaf Buall – Martanesh dhe banorët e fshatit Plan i Bardhë.
Për shkak të zjarrit të vazhdueshëm, herë pas here ka aktivizim të flakëve edhe në zonën pyjore me dushqe por është mbajtur nën kontroll nga shërbimi zjarrfikës.




