Bota

Trump lehtëson përkohësisht taksën për naftën në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të lehtësojë përkohësisht barrën e taksave për naftën e përdorur në rrugë, në një kohë kur rritja e kostove të karburantit po shkakton shqetësime në SHBA.

Masa mund të përfshijë shoferët e kamionëve, fermerët dhe përdorues të tjerë të naftës. Trump e nënshkroi urdhrin të hënën gjatë një tubimi në Grand Island, Nebraska, ku po zhvillonte fushatë për kandidatët republikanë.

Sipas presidentit amerikan, masa do të lejojë përdorimin e naftës së ashtuquajtur “të kuqe”, e cila normalisht përdoret për traktorë dhe makineri jashtë rrugëve dhe përjashtohet nga taksa federale e karburantit.

Megjithatë, urdhri është më i kufizuar nga sa u paraqit fillimisht nga Trump. Ai nuk e heq taksën, por shtyn pagesën e saj për naftën e ngjyrosur që përdoret në rrugët publike gjatë periudhës 5 tetor–31 dhjetor, pa interesa dhe penalitete.

Urdhri i kërkon gjithashtu Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të shqyrtojë mënyra, përfshirë ndryshime ligjore, për të eliminuar detyrimin për pagesën e shumave të shtyra.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, taksa federale për naftën është 24.4 cent për gallon, që do të thotë rreth 60 dollarë për një mbushje prej 250 gallonësh. Nëse edhe shtetet zbatojnë masa të ngjashme, kursimi mund të arrijë deri në rreth 100 dollarë për mbushje.

Bessent ka pesë ditë, në konsultim me Sekretarin e Luftës Pete Hegseth, për të përcaktuar nëse plotësohen kushtet ligjore për shtyrjen e taksave dhe cilët tatimpagues do të përfitojnë nga masa.

Vendimi vjen në një periudhë kur administrata Trump po përpiqet të frenojë ndikimin e kostove të larta të karburantit dhe shqetësimet ekonomike përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.