Kur protesta kërkon imunitet nga humori Nga Dr. Halil Hyseni*
Presidenti i Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasoulas, më 29 shtator 2026, nga Paramthia, përsëriti për çamët refrenin grek ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’. Termi gjithëpërfshirës “οι μουσουλμάνοι Τσάμηδες”/ “çamët myslimanë” u përsërit pesë herë brenda një fjalimi të shkurtër, botuar edhe në faqen zyrtare të Presidencës.
Në fjalën e tij, Presidenti e paraqet komunitetin çam, në mënyrë kolektive, si pjesë të atij projekti vrastar që mori jetët e 49 paramthjotëve. Për të, çdo çam mysliman ishte bashkëpunëtor i pushtuesit. Për të, i gjithë komuniteti veproi si një trup i vetëm, si një ndërmarrje kriminale.
Brenda të njëjtit paragraf, Presidenti vendos qartazi dy standarde. Një për grekët e një të kundërt për çamët. Presidenti dënon teorinë naziste të zbatimit të përgjegjësisë kolektive dhe, po aty, e zbaton vetë këtë praktikë, duke akuzuar kolektivisht ‘çamët myslimanë’ si ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’.
“Në Paramthi, – thotë Presidenti në fjalën e tij – në fund të shtatorit të vitit 1943, trupat gjermane të Pushtimit dhe bashkëpunëtorët e tyre, çamët myslimanë, arrestuan 49 vetë nga paria e qytetit, civilë të pafajshëm, me qëllim që t’i asgjësonin, në mënyrë që të frikësohej popullsia dhe të zbatohej në praktikë teoria naziste e përgjegjësisë kolektive.” / “Στην Παραμυθιά, στα τέλη Σεπτεμβρίου του 1943 τα γερμανικά στρατεύματα κατοχής και οι μουσουλμάνοι Τσάμηδες συνεργάτες τους, συνέλαβαν 49 Προκρίτους της πόλης, αθώους άμαχους, προκειμένου να τους εξοντώσουν ώστε να πτοηθεί ο πληθυσμός και να εφαρμοστεί στην πράξη η ναζιστική θεωρία της συλλογικής ευθύνης.”
Presidenti e argumenton bashkëpunimin kolektiv të çamëve përmes vendimeve të Gjykatës Speciale të Janinës.
“Në Janinë – thotë Presidenti – deri në vitin 1948, më shumë se 1.700 vendime të Gjykatës Speciale të Bashkëpunëtorëve të Pushtuesit dënojnë çamët myslimanë dhe konfiskojnë pasuritë e tyre për krimet e luftës që kryen në Thesproti.”
Vlen të ndalemi te vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës për Kolaboracionistët, sepse këto vendime u krijuan, u përdorën, shërbyen dhe i shërbejnë ende politikës greke. I shërbejnë Presidentit grek të vendosë nën emëruesin e përbashkët Bashkëpunëtorë të Pushtuesit të gjithë komunitetin çam.
E vërteta është se me Vendimet Nr. 344/1945 dhe Nr. 344/1946 të Gjykatës Speciale të Janinës për Kolaboracionistët, dalë respektivisht më 23 maj 1945 dhe më 27 maj 1946, u akuzuan për bashkëpunim me pushtuesit 2116 persona. Të gjithë ishin Çamë, të gjithë u dënuan, dhe të gjithë u dënuan me vdekje, dhe të gjithë u dënuan me konfiskim të plotë të pasurisë së tyre, të pasurisë së bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre.
Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës u mbështetën në Aktin Kushtetues Nr. 6/1945 dhe Ligjin Nr. 533/1945, norma këto që u paraprinë vendimeve gjyqësore dhe ndërtuan shtratin ligjor për realizimin e proceseve gjyqësore. Akti Kushtetues Nr. 6/1945 dhe Ligji Nr. 533/1945 kishin fuqi në të gjithë territorin e Republikës Helene. Në të gjithë Greqinë pati forca e individë që bashkëpunuan me pushtuesit. Pati qeveri greke, që qeverisi në bashkëpunim me nazistët. Falë bashkëpunimit të Grekëve me pushtuesit, hebrenjtë e famshëm të Selanikut, Korfuzit dhe Janinës u identifikuan dhe u deportuan në kampet e përqendrimit. Këtë krim nuk e bënë Çamët.
Sipas United States Holocaust Memorial Museum (USHMM), në vitin 1941 në Greqi jetonin 71,611 hebrenj, ndërsa vlerësimi i viktimave është 58 800–65 000. Mbi 80% e popullsisë hebraike të Greqisë së paraluftës u vra. Në këtë krim të tmerrshëm, Bashkëpunëtorët e Pushtuesit ishin Grekë. Ishin ata që spiunuan bashkëqytetarët e tyre te pushtuesit.
U ngritën Gjykata Speciale për Bashkëpunëtorët e Pushtuesit edhe në Athinë, Selanik, Serres e Halkidë.
Le të krahasojmë Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës me Vendimet e Gjykatave Speciale të Athinës e Selanikut. Athina, me hapësirë e popullatë shumëfish më të madhe se Çamëria dhe Çamët. Athina, vendi ku kishte rezidencën qeveria kuislinge e ku mijëra nëpunës apo qytetarë grekë bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit Gjermanë. Selaniku, vendi ku para lufte jetonin rreth 45 000 hebrenj, dhe ku, falë bashkëpunimit të grekëve, pas lufte mbetën më pak se 2 000 e ku strukturat e administratës greke sistematikisht konfiskuan pasuritë hebraike.
Pakrahasimisht më e vogël, normal që popullata çame ka prodhuar më pak ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ se tërë Greqia. Gjykatat ‘speciale’ greke nuk mendojnë kështu. Vendosin të kundërtën.
Ja një tabelë përmbledhëse krahasimore e Vendimeve të Gjykatave Speciale për Kolaboracionistët të Athinës, të Selanikut dhe të Janinës, ndërtuar mbështetur në të dhënat publike greke.
| Athinë | Selanik | Janinë | |
| Persona të akuzuar | 2,205 | 959 | 2116 |
| Persona të akuzuar me kombësi greke | 2,205 | — | — |
| Persona të akuzuar çamë | 0 | 0 | 2116 = 100% |
| Të dënuar | 849 = 38.5% | 410 = 42,7% | 2116 = 100% |
| Dënime me vdekje | 114 = 5.2% | 78 = 8,1% | 2116 = 100% |
| Burgim i përjetshëm | 121 = 5.5% | 65 = 6,8% | 0 |
| Burgim nën 20 vjet | 614 = 30% | 267 = 27,8% | |
| Pafajësi | 1,356 = 61.5% | 549 = 57,2% | 0 |
| Konfiskim i plotë i pasurisë | 2 = 0,01% | 1 = 0,001% | 2116 = 100% |
Gjykata Speciale e Athinës dënoi me vdekje dhe konfiskoi pasurinë e Sotirios Gocamanis (Σωτήριος Γκοτζαμάνης) dhe Ektor Tsironikos (Έκτωρ Τσιρονίκος), të dy ish-ministra, finance dhe ekonomie të qeverisë greke përgjatë pushtimit. Me poste të tilla, është e logjikshme rëndesa e veprës penale të bashkëpunimit me pushtuesin e fakti që pasuria e tyre mund të jetë shëndoshur apo vënë për shkak të bashkëpunimit.
Gjykata Speciale e Janinës dënoi me dënimin maksimal, me vdekje, dhe konfiskoi pasurinë e të gjithë të akuzuarve Çamë, pa përjashtim, 2116 syresh, çobenë, bujq etj., pasuria e të cilëve, trashëguar ndër breza, sigurisht që nuk ishte produkt i veprës penale të supozuar.
Thuhet se nuk gjykohen vendimet e gjykatave. Që vendimet të pranohen, që vendimet të qëndrojnë, duhet që Gjykatat të japin drejtësi. Gjykatat duhet të jenë mbi palët dhe në baraslargësi nga palët. Nuk kemi kopje të vendimeve të gjykatave greke, nuk i kemi provat për të vlerësuar drejtësinë/padrejtësinë e vendimeve të dhëna, por mund të krahasojmë.
Ne krahasojmë. Të masësh do të thotë ta krahasosh një send a një procedurë me një send apo procedurë të ngjashme, të marrë si njësi. Supozoni si njësi të së drejtës vendimet e Gjykatës së Athinës, të Selanikut apo të Nurenbergut dhe krahasojini me Vendimet e Janinës. Ju rezultojnë të drejta Vendimet e Janinës?
Krahasoni numrin e të gjeturve fajtorë/të akuzuarve bashkëpunëtorë të pushtuesit në Çamëri me numrin e të gjeturve fajtorë/të akuzuarve nga gjykatat në të gjithë Greqinë. Vetëm me dy vendime, Janina gjen fajtor dhe dënon me dënimin maksimal 2116 nga 2116 të akuzuar. Më shumë se në tërë Greqinë. Në Athinë, Gjykata Speciale vlerëson bashkëpunëtorë dhe dënon vetëm 849 persona nga 2,205 të akuzuar. Në Selanik, vetëm 410 persona u gjetën fajtorë.
Krahasoni dënimet e dhëna dhe veprat e mundshme penale të kryera nga bujq e çobenër çamë, me dënimet e dhëna dhe veprat e mundshme penale të kryera nga zyrtarë, ministra e kryeministra grekë. Krahasoni numrin e të gjykuarve me përqindjen e të dënuarve me vdekje nga secila Gjykatë. Vëreni se çamët të gjithë, 100%, u dënuan me dënimin maksimal, ndërsa në Athinë vetëm 5% e në Selanik 8%.
Edhe Gjykata Ndërkombëtare Ushtarake e Nurembergut (IMT), pra gjyqi kryesor ndaj vetë udhëheqësve të pushtuesve nazistë, nga totali prej 24 të akuzuarish vetëm gjysmën e tyre, 12 vetë, dënoi me vdekje, tre u shpallën të pafajshëm.
Krahasoni përqindjen e të shpallurve të pafajshëm. Asnjë Çam nuk u gjet i pafajshëm, përkundrejt shumicës së të akuzuarve në Athinë e në Selanik.
Si është e mundur që në Janinë të gjithë të akuzuarit u dënuan? Si është e mundur që në Janinë të gjithë u dënuan njësoj – me vdekje? Mesa duket, vetëm mes çamëve, gjykata ‘Speciale’ në Janinë nuk ka gjetur fare hierarki ‘në ligësi’. Të gjithë njësoj. Të gjithë kriminelë, më kriminelë se vetë nazistët. Të gjithë meritojnë dënimin me vdekje!!!
Shifrat flasin vetë. Krahasimi i shifrave të vendimeve të Gjykatës Speciale të Janinës me vendimet e dhëna nga Gjykatat e tjera Speciale nuk lë hapësirë për tjetër përfundim. Janë vendime politike. Padrejtësi. Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës sanksionuan Padrejtësi ndaj Çamëve.
Nëse Ligjet, Gjykatat dhe Gjykimet u krijuan dhe u procedua me parimin se qëllimi justifikon mjetin dhe nëse qëllimi ka qenë deklarimi i twrw Çamëve myslimanë si ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, ia kanë mbërritur qëllimit, porse Me vendime të padrejta gjykate. Nëse qëllimi ka qenë edhe konfiskimi i pasurive të Çamëve, ia kanë mbërritur qëllimit. Me vendim gjykate. Dhe sërisht ngre krye pyetja: Nëse drejtësia ishte individuale, pse përgjegjësia u bë kolektive?
Vendimet e Gjykatës Speciale të Janinës kanë qenë instrumente juridike për qëllime politike. U përdorën për të shpallur me vendim gjykate, ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ gati një të dhjetën e popullsisë Çame. Mbështetur mbi to, me vendim politiko-publik, politika greke, tani dhe përmes Presidentit të saj, ka shpallur ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’ të gjithë popullsinë Çame, përfshi nënën time, përfshi babin tim. Jo, ata nuk ishin.
Ky cilësim, ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, i sanksionuar me vendime të padrejta Gjykate dhe përgjithësuar politikisht, përbën sot mburojën greke ndaj llogaridhënies për spastrimin etnik që realizuan ndaj popullsisë Shqiptare, myslimane, që banonte në trojet e veta, brenda territorit Grek.
Përmes cilësimit ‘bashkëpunëtorë të pushtuesit’, zhvlerësojnë jetët e qindra mijëra çamëve të vrarë e të persekutuar. Jeta nuk ka kombësi. Është krim vrasja e 49 paramthjotëve nga reparti nazist dhe disa bashkëpunëtorëve të tyre çamë. Është krim vrasja e mijëra çamëve nga trupat e EDES.
Presidenti Tasoulas në fjalimin e tij ndalet gjatë në historinë e 1943-shit, dhe fap kapërcen në 1945. Ka edhe të tjera masakra ku preja dhe grabitqari kanë ndërruar kahe. Ka shumë e shumë gjak çam të derdhur para e pas krimit të vitit 1943 në Paramthi. “Në total më shumë se 1200 Çamë u vranë”, vlerëson Lambros Baltsiotis, profesor i Historisë së Minoriteteve në Panteion University, Athinë, në studimin e tij “The Muslim Chams of Northwestern Greece”, botim i EJTS, 12, 2011, paragrafi 59. Edhe jetët e tyre vlenin. Njëjtë si 49 paramthjotët e vrarë.
Është krim spastrimi etnik i Çamëve nga trojet e tyre. Zaten, nuk ka axhami të pranojë variantin presidencial të deklaruar në Paramthi se Çamët “ikën për në Shqipëri” / “καταφεύγουν στην Αλβανία.”
Çamët u dëbuan përmes plumbave dhe “Mund të argumentohet se nuk ishte zyrtarisht shteti (grek – shënimi im) ai që kreu spastrimin etnik…. Megjithatë, në rastin e Çamërisë, vetë shteti jo vetëm që nuk u shqetësua nga ky spastrim etnik, por edhe i mirëpriti rezultatet e tij.” shkruan Prof. Lambros Baltsiotis, në konkluzionet e studimit, paragrafi 84.
Presidenti grek vijon të ‘mirëpresë rezultatet’ dhe vijon sulmin. Mbrojtja më e mirë është sulmi. Në fjalën e tij në Paramthi, katër paragrafë të plotë i adresohen politikës shqiptare dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë. Në këta katër paragrafë fshihet mesazhi kryesor i fjalimit: Shqipëria duhet të pranojë interpretimin grek të historisë. Të katër paragrafët bashkë përkthehen “Shantazh”, “Veto”.
*Halil Hyseni është pedagog, ish zëvendës Ministër ne Ministrinë e punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Top Channel