web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lojë luftërash për pushtet në Tiranë e Prishtinë

6 Tetor 2026, 15:40, Opinione Lorenc Vangjeli

Lojë luftërash për pushtet në Tiranë e Prishtinë

Shumica socialiste është në prag të një prej ballafaqimeve më të forta me krizën e shumëfishtë, pikërisht aty ku ka pikën e saj më të fortë: numrat e mandateve në parlament.

Votimi i paralajmëruar për reformën territoriale mund të jetë shkëndija e rradhës e një shpërthimi edhe më të madh. Lista triumfale e saj mbas zgjedhjeve të 2025, një listë që kapi numrin e pabesueshëm prej 83 deputetësh, për momentin duket e pamundur të kapërcejë në shifrën e domosdoshme të 84 votave pro reformës. Rrugës ka firuar kartoni i Neomalësores, ndërsa dy deputetë, Braçe dhe Sina kanë paralajmëruar votën kundër.

Të paktën tre vota të tjera socialistësh të zemëruar, por kryesisht të heshtur, pothuajse mund të numërohen që tani jo thjesht kundër reformës, por pro protestës ndaj Ramës. Përveç ndonjë “mrekullie” të momentit të fundit. E meqë në politikën shqiptare mrekullitë nuk para ndodhin, pritja për të parë shtyrjen në kohë të hakmarrjes së të zemëruarve mund të ketë shije pazari, nën mbulesë negociate.

Por kjo është vetëm ana e dukshme e asaj që po gërryen po në heshtje maxhorancën socialiste. Kjo është një deja vu e frikshme e cila ka ndodhur me PS-në edhe në rastin e reformës së parë territoriale. Pakkush kujton se në 24 korrik 2014, ndërkohë që votimi i saj ishte në rendin e ditës, koalicioni PS & LSI humbi papritur kuorumin në sallë. Më shumë se një dyzinë deputetësh të majtë braktisën sallën dhe u ulën në mënyrë demonstrative në kafen e parlamentit.

Asnjëri prej tyre nuk është më deputet. Të gjithë ata, zgjedhje personale e Edi Ramës, e humbën mandatin ose sepse i skualifikoi ligjin i dekriminalizimit, ose edhe sepse hynë në burg. Atë verë të largët Edi Rama shpenzoi minuta të tëra me ta, duke ju folur me duar e këmbë në kafe që t’i bindte për të dhënë votën, por ata refuzuan si grup. Java e ardhshme, 31 korriku, ishte seanca e fundit përpara se Kuvendi të merrte pushimet. Mosvotimi në Kuvend rrezikonte që vendi të hynte në zgjedhjet e pritshme lokale që u mbajtën në qershor 2015 me të njëjtën strukturë bashkish. Mbas Ramës, ish-aleati i tij i ngushtë asokohe, Ilir Meta, tentoi të bindte grupin. Meta la foltoren e Kuvendit dhe ju bashkua grupit rebel në një nga restorantet e kryeqytetit, por as ai nuk pati sukses. Ish-deputeti T. D., kreu autoritar e moral i atij grupi dha përgjigjen epike: “Ikëm nga seanca për të festuar ditëlindjen e kolegut M. F.”. Natyrisht kalendari tregonte se ish-deputeti M. F. nuk e kishte ditëlindjen atë ditë.

Nuk ka dëshmitarë se çfarë koncesionesh ju bënë dy ish-aleatët ish-deputetëve socialistë që votuan reformën territoriale një javë më pas. E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri tani plot 12 vjet më pas, është që një tjetër listë “koncesionesh” do të duhet të përgatitet nga kryeministri për të arritur shifrën e nevojshme prej 84 kartonash për reformën.

Fatkeqësisht, kjo është fatura e paevitueshme që Rama do të duhet të paguajë për përçmimin që ai ka për parlamentarizmin. Kostoja që ai duhet të afrojë për bindjen se lista e deputetëve të tij nuk ka emra, nuk ka fytyra, nuk ka individualitet, por është vetëm një karton i njëtrajtshëm që voton verbtazi vullnetin e tij.

Njëlloj siç jua bëri të qartë menjëherë mbas daljes së rezultatit të zgjedhjeve të 2025-ës. Tani, së paku Erion Braçe dhe Vullnet Sina janë deklaruar kundër këtij vullneti. I pari është në të njëjtën linjë gjysmë përplasjeje me kryeministrin duke treguar pavarësi relative prej tij, i dyti është i njëjti deputet që Rama e lëvdoi si model e shembull pune. “...nuk më ka shqetësuar kurrë për asnjë interes apo çështje personale!”. Por kjo ishte kohë më parë, ishte atëherë kur kryeministri bënte sikur habitej me këtë fakt. Ateherë e tani, Rama padyshim vazhdon ta shohë veten si dashin e vetëm socialist që zgjedh të mos ushqejë asnjë nga qengjat e tij të urtë parlamentarë.

Tani që është në nevojë numrash, edhe pse ka ende shumë kohë në dispozicion, Rama ka pak karta në dorë për të bindur rebelët e rinj, ata të zëshmit e dukshëm dhe të heshturit ende pa emra. Ekziston mundësia për të peshkuar vota edhe në opozitë, por çmimi i këtij lloj peshku të rrallë për këtë legjislaturë kaq inkandeshente, është dukshëm shumë më i lartë. Në mungesë të tyre, edhe pse dështimi i reformës nuk i kërcënon maxhorancën, i jep asaj një humbje shumë të hidhur morale dhe një triumf të pacak kundërshtarëve të tij.

Të enjten është paralajmëruar rrethimi i parlamentit. Gjasat janë që një bërthamë agresive e banorëve të bashkive që përthithen, e Flamingove tradicionalë antiqeveri dhe të opozitës që mendon se i ka ardhur dita, do të bëjnë deja vu në Tiranë të njëjtat skena që u panë të hënën në Prishtinë. Dhe kjo është një nga provat për të zhvilluar një arsyetim që ngrihet shumë mbi komentin sipërfaqësor të ngjarjeve të ditës.

Nëse shihet kriza në Tiranë nga këndvështrimi i Prishtinës dhe njëkohësisht, shihet kriza e Prishtinës nga këndvështrimi i Tiranës, mund të kuptohet se erëra të zymta po fryjnë në hapësirën shqiptare. Të pushtuar nga ideja fikse e qëndrimit në pushtet me çdo çmim e çdo kusht, një grusht njerëzish po luajnë me naivitet e ndoshta edhe ligësi e egoizëm, lojëra luftërash për pushtetin.





13:36 Opinione Edison Ypi

Bordello

Muzikën na e kompozon kurvari me ofshama seksi. Tekstin e ...

10:52 Opinione Agim Xhafka

DJE NË MBRËMJE

Sa kishte rënë muzgu. Isha gati të bëja një shëtitje nga p...

Lajmet e fundit nga