VIDEO/ Punimet në Tunelin e Krrabës, ndryshon qarkullimi gjatë natës. ARRSH tregon planin e punimeve
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se nga e mërkura e 7 tetorit, do të nisë punimet për pastrimin e mureve dhe pajisjeve të Tunelit të Krrabës, çka do të sjellë ndryshime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve gjatë natës.
Sipas ARRSH-së, punimet do të zgjasin maksimalisht 20 ditë dhe do të zhvillohen çdo natë në intervalin 21:00-06:00. Gjatë këtij orari, tuneli do të funksionojë vetëm me një tub, me qarkullim në të dyja drejtimet. Fillimisht, punimet do të kryhen në tubin e drejtimit Elbasan-Tiranë, ndërsa tubi Tiranë-Elbasan do të shërbejë për lëvizjen e mjeteve në të dyja drejtimet.
Gjatë ditës, nga ora 06:00 deri në 21:00, qarkullimi do të vijojë normalisht me të dy tubat në funksion. Për garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e trafikut, në tunel do të jetë i pranishëm shërbimi i Policisë Rrugore gjatë gjithë kohës së zhvillimit të punimeve, nga ora 21:00 deri në 06:00. ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë gjatë kësaj periudhe.

