Frika për pandemi/ Rubio kërkon transparence nga Rusia për incidentin në laborator

Frika për pandemi/ Rubio kërkon transparence nga Rusia për incidentin në laborator

15:52, 06/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Rusisë që të tregojë transparencë të plotë dhe të ndajë me komunitetin ndërkombëtar të gjitha informacionet lidhur me një incident fatal të regjistruar në një laborator biologjik rus. Rubio e bëri deklaratën të martën, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Reykjavik me ministren e Jashtme të Islandës, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir. “Mendoj se është detyrë e Rusisë që padyshim të ndajë më shumë informacion me botën. Kjo është ajo që duhet të bëjnë dhe shpresojmë se do ta bëjnë”, tha Rubio.

Kreu i diplomacisë amerikane theksoi se çdo rast infektimi brenda një objekti të specializuar biologjik është natyrshëm shqetësues për të gjithë botën, veçanërisht pas përvojës së pandemisë së COVID-19. Megjithatë, Rubio kërkoi që të shmangen përfundimet e nxituara dhe spekulimet se incidenti mund të ketë lidhje me një patogjen të modifikuar qëllimisht. Ai e cilësoi të papërgjegjshëm çdo pretendim të bërë pa fakte të verifikuara dhe tha se SHBA nuk mund të përcaktojë ende nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për një situatë më të gjerë.

Rubio tha gjithashtu se agjencitë amerikane dhe institucionet ndërkombëtare po e ndjekin situatën “orë pas ore”, në mënyrë që qeveritë partnere të mund të reagojnë në kohë dhe në mënyrën e duhur sapo të konfirmohen të dhënat. Reagimi i Uashingtonit vjen pas raportimeve për vdekjen e një kërkueseje shkencore 28-vjeçare në Institutin e Kërkimeve Kundër Murtajës në Irkutsk. Sipas raportimeve, studiuesja ndërroi jetë pasi u prek nga një “pneumoni me etiologji të panjohur”.

Mediat lokale kanë raportuar se vdekja mund të ketë ardhur si pasojë e një ekspozimi aksidental në laborator. Ngjarja ka nxitur karantinimin e një spitali dhe vendosjen e maskave mbrojtëse në një fabrikë pranë Shelekhov-it. Ndërkohë, autoriteti rus i mbikëqyrjes shëndetësore, Rospotrebnadzor, ka deklaruar se situata epidemiologjike në rajon mbetet e qëndrueshme. Pavarësisht kësaj, SHBA kërkon nga Moska më shumë informacion për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një rast të izoluar apo me një kërcënim më të gjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco