EMRI/ Autor i disa vjedhjeve në Tiranë, arrestohet 26-vjeçari

Klajdion Kocja, 26 vjeç, është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve, përfshirë raste të grabitjes me dhunë.
26-vjeçari është arrestuar në flagrancë, pasi dyshohet se i ka marrë me dhunë varësen nga qafa një shtetaseje, në rrugën “Konferenca e Pezës”. Nga veprimet hetimore dyshohet se Kocja ka kryer edhe një tjetër vjedhje me dhunë në të njëjtën zonë, më 2 tetor 2026.
Po ashtu, në kuadër të hetimeve për vjedhjet në Tiranë, policia ka arrestuar edhe F. K., 51 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të dyshuar për vjedhjen e disa motoçikletave, biçikletave dhe monopatinave në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë kontrollit, atyre u janë sekuestruar 6 biçikleta, 2 monopatina dhe 1 motoçikletë, të dyshuara të vjedhura.
Ndërkohë, në një tjetër rast, policia ka arrestuar Y. A., 38 vjeç, i dyshuar për vjedhjen e një automjeti në Rinas. Automjeti është lokalizuar në Durrës dhe është sekuestruar si provë materiale.
Policia njofton se hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të personave të arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

