Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të regjistruar më 5 tetor në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua me vezë nga protestues.
Në një deklaratë zyrtare, Policia bën me dije se strukturat e saj po kryejnë veprimet procedurale për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për t’ia referuar çështjen Prokurorisë, në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit dënon çdo formë dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe thekson se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta. Megjithatë, sipas saj, kjo e drejtë nuk mund të përdoret për të kërcënuar, shënjestruar apo sulmuar persona të tjerë për shkak të bindjeve apo qëndrimeve të tyre.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë”, thekson Policia, duke shtuar se zbatimi i ligjit është përgjegjësi e institucioneve shtetërore.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin konfrontimet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Ndërkohë, çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur ftohet t’u drejtohet strukturave të Policisë, ndërsa institucionet premtojnë se çdo kallëzim do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit nënvizon se do të garantojë në mënyrë të barabartë sigurinë e qytetarëve, pavarësisht qëndrimeve të tyre.
“Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, thuhet në deklaratë.

