Kryeministri Albin Kurti i bëri një ofertë të re publike PDK-së për zgjidhjen e ngërçit: presidenti të zgjidhet sot, ndërsa votimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të zhvillohet paraditen e së enjtes. Ai kërkoi nga PDK që të angazhohet publikisht se të paktën gjysma e deputetëve të saj do të marrin pjesë në votimin për kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
"Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë. Presidenti duhet të zgjidhet sot. Ligjin mund ta votojmë duke respektuar afatin 72-orësh. Le ta zgjedhim presidentin sonte dhe publikisht zotohem para jush që paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i projektligjit për Dhomat e Specializuara", tha Kurti.
"Nëse vërtet kërkojnë zgjidhje, zgjidhja ekziston. Ajo arrihet përmes takimit, bashkëpunimit, bisedimit, marrëveshjes. Nëse e refuzojnë, nuk po duan zgjidhje, por zgjedhje", vijoi ai.
"Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK, ne po procedojmë me votimin dhe leximin e tyre. Por kërkojmë nga PDK publikisht që të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit të tyre parlamentar mund të na e sjellin në seancë dhe të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun, që s'është i VV-së", tha Kurti.
Kryeministri dha nga ana tjetër garancinë se 62 deputetë do të jenë në Kuvend të enjten për votimin e ndryshimeve për Specialen.
"Unë garantoj si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër që 62 deputetë do të jenë aty për të votuar projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes", deklaroi ai.
"Nëse PDK është kundër, i them thuaje këtë me votë. Po u them votoni kundër, veç votoni. Mos bojkotoni Kuvendin, shfrytëzoni të drejtën tuaj kushtetuese", përfundoi Kurti.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Pas Konjufcës e Rushitit, Kurti propozon Justina Pulën për presidente! Hamza refuzon ofertën e dytë: Jo pa marrëveshje








