Hetimet për të zbuluar personat që kanë shpërndarë gjerësisht në rrjet videot intime të kompozitorit Adi Hila i cili shfaqet me personazhe të njohura, po vijojnë prej ditësh, ndërsa thuhet se hetuesit e Shqipërisë kanë vijuar bashkëpunimin e tyre me Interpolin për të identifikuar ata që publikuan pamjet në rrjet.
Burime për mediat bëjnë me dije se në kuadër të identifikimit të personave që nxorën videot, së fundmi Sektori për Krimin Kibernetik në Policinë e Tiranës ka marrë në pyetje tre vajza që shfaqen në materialet e publikuara.
Vajzat në fjalë kanë pohuar marrëdhënien me kompozitorin, mirëpo kanë deklaruar se përgjegjësia nuk duhet kërkuar vetëm tek ai. Në këto rrethana, ato kërkojnë që të identifikohen sa më parë personat që shpërndanë masivisht pamjet, të cilat sot e kësaj dite vijojnë të “thyejnë” rrjetin.
Sakaq bëhet me dije se hetuesit ende nuk kanë rënë në gjurmët e personit përgjegjës për shpërndarjen e videove, prej të paktën 2 viteve. Bëhet me dije se për identifikimin e këtij personi Krimi Kibernetik po punon me Interpol për gjurmimin e IP-ve.
Çështja në fjalë i është referuar Prokurorisë së Tiranës. Materialet e grumbulluara janë dërguar për tú hetuar për disa vepra penale të dyshuara të tilla si: përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, keqpërdorimi i pajisjeve dhe ndërhyrja e padrejtë në jetën private. Pritet që në vijim të kemi detaje të reja, duke qenë se hetimet po vijojnë për të identifikuar personat që kanë gisht në shpërndarjen e pamjeve, të cilat qartazi kanë cënuar privatësinë dhe kanë shkelur dinjitetin e personazheve të përfshira në këtë mes.
