Të enjten votimi për 46 bashki, Zhupa apel kolegëve socialistë: Shpresoj që të dalë një burrë nga Vlora e të mbajë besën
Debati për reformën e re administrativo-territoriale ka sjellë përplasje të forta në Komisionin e Kulturës, ku deputetja demokrate Ina Zhupa iu drejtua drejtpërdrejt dy deputetëve socialistë nga Vlora, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Zhupa u bëri thirrje dy deputetëve që të qëndrojnë kundër draftit që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke iu referuar edhe qëndrimit të tyre në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
“Kam një shpresë te kolegë të veçantë. Uroj shumë që të dalë një burrë nga Vlora që ta mbajë fjalën dhe t’i qëndrojë besës që ka dhënë me qytetarët e Selenicës. Që të mos arrini dot të bëni 84 vota”, deklaroi Zhupa.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Braçe dhe Sinaj votuan kundër draftit të ri për reformën territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Opozita kundërshton këtë propozim, duke argumentuar se ndryshimi prek rreth 225 mijë qytetarë dhe se komunitetet duhet të pyeten përpara se të merret një vendim i tillë.
Gjatë diskutimit në komision, Zhupa pati debate me përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët akuzuan opozitën se nuk ishte e pranishme në Komisionin e Ligjeve kur projektligji u miratua. “225 mijë qytetarë që janë prekur nuk e duan. Çfarë thotë Kushtetuta? Pyeten komunitetet. Çfarë bëni ju? Pyesni vetëm Arbër Maznikun”, tha Zhupa.
Pas rreth një ore debat dhe përplasje mes palëve, Komisioni vijoi me dëgjesën me përfaqësues të Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, lidhur me projektligjin për të drejtat e autorit.

