Aktualitet

Berisha do të njoftojë NATO-n/ Pas rrëzimit të hetimit parlamentar, demokratët do t’i dorëzojnë provat në SPAK

Demokratët do të njoftojnë zyrtarisht NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë lidhur me dyshimet për trafikun e armëve nëpërmjet kompanisë shtetërore KAYO dhe kompanisë së biznesmenit izraelit Ron Yeffet.

Pas rrëzimit nga socialistët të kërkesës për hetim parlamentar, Sali Berisha bëri me dije se dokumentet do të dorëzohen edhe në SPAK, ndonëse në daljet e tij e konsideron si seksion të PS.

“Të gjitha provat tona do t’i dorëzojmë në institucionet, në SPAK, por do i dërgojmë edhe në institucionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe partnerëve tanë. Do të informojmë të gjitha ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vetë Aleancën”, tha Berisha.

Në denoncimin e tij, kryedemokrati pretendoi se biznesmeni Ron Yeffet është bërë pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit pasi ortakja e tij, Arjeta Puca, u shfaq në podcastin e Kryeministrit Edi Rama.

“Fill pas shfaqjes televizive të Ramës, Miss Autoblindi zotohet se ajo do të armatosë ushtrinë shqiptare. Roni Yeffet brenda natës bëhet pronar i të gjitha ndërtimeve që ekzistojnë në Shkozë apo në ish-Kombinatin e Traktorëve, bëhet pronar i 45 milionë eurove nga buxheti i shtetit”.

Berisha akuzoi se edhe ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ishte vënë në shërbim të Rony Yeffet, ndërsa ky i fundit kishte kontroll të plotë mbi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

“Në komitet tani është Ermal Balluku apo Ermal Raketa. Të gjitha këto ndryshime që do t’i dëgjoni janë bërë me firmën e Lubi Ballukut. Yeffet kontrollonte kokë e këmbë Lubi Ballukun, të gjitha firmat. Vlora Hyseni ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet. Kjo skemë mafioze rrezikon edhe NATO-n”.

Demokratët i kërkuan SPAK që të thërrasë Edi Ramën për të dhënë llogari, duke e akuzuar se ka miratuar ligje dhe vendime, duke krijuar ndërtuar një skemë mafioze në fushën e mbrojtjes, që cenon jo vetëm sigurinë kombëtare, por dhe Aleancën me NATO-n.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.