Flash

Protesta gjigante në 30 qytete të Francës/ Incidente në Strasburg, Lion dhe Marsejë

Lapsi.al 6 October 2026

Protesta gjigante në 30 qytete të Francës/ Incidente në

Protestat e nxënësve dhe studentëve që janë përhapur në të gjithë Francën vazhdojnë me intensitet të madh, me demonstrata të martën në më shumë se 30 qytete, qindra shkolla të prekura dhe fakultete universitare që janë pushtuar ose bllokuar. 

Në qendër të pakënaqësisë janë mungesa e mësuesve dhe e personelit, klasat e mbipopulluara dhe gjendja e keqe e shumë godinave shkollore. Protestat nisën nga nxënësit e shkollave të mesme, por shumë shpejt u përhapën edhe në universitete, duke marrë përmasa kombëtare. 

Union Syndicale Lycéenne (USL), një nga organizatat kryesore të nxënësve që qëndrojnë pas protestave, argumenton se bllokadat dhe demonstratat janë të nevojshme, pasi forma të tjera reagimi, si peticionet dhe protestat paqësore, “nuk sjellin asnjë reagim nga drejtuesit politikë”. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, kishte pranuar që në fillim të protestave, muajin e kaluar, se disa prej kërkesave të nxënësve janë “të justifikuara”. Megjithatë, politikanë nga krahë të ndryshëm politikë kanë dënuar episodet e dhunshme që shoqërojnë një pjesë të protestave.

Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, javën e kaluar foli për një “pakicë të dhunshme” që merr pjesë në protesta, duke ngritur edhe pyetjen nëse të gjithë ata që shkaktojnë incidente janë vërtet nxënës të shkollave të mesme.

Demonstrata në më shumë se 30 qytete

Protestat e sotme zhvillohen në më shumë se 30 pika në të gjithë Francën, sipas organizatës studentore L’Union Étudiante, e cila merr pjesë në organizimin e tyre. Marshime janë planifikuar, ndër të tjera, në Marsejë, Nice, Nantes, Lion dhe Paris. Në kryeqytetin francez, organizatorët presin deri në 40 mijë demonstrues.

 
Në disa zona nuk kanë munguar përplasjet me forcat e policisë. Në Strasburg, në verilindje të Francës, u shënuan përleshje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa, sipas Reuters, në drejtim të forcave të sigurisë u hodhën fishekzjarre. Incidente u shënuan gjithashtu në Marsejë dhe Lion.

Ministria e Arsimit njoftoi të martën në mesditë se gjithsej 891 institucione arsimore kishin pezulluar plotësisht ose pjesërisht mësimin për arsye të ndryshme që lidhen me protestat.

USL jep një shifër edhe më të madhe të pjesëmarrjes, duke pretenduar se 1.800 shkolla të mesme janë bllokuar ose mbyllur, ndërsa, sipas saj, është bllokuar edhe 90% e universiteteve. Në një deklaratë në X, organizata e nxënësve foli për një “rekord të ri” të mobilizimit.

Të premten e kaluar, e njëjta organizatë kishte njoftuar se më shumë se 30 ambiente universitare dhe mbi 600 shkolla të mesme ishin bllokuar, gjë që, sipas organizatorëve, tregon se lëvizja vazhdon të zgjerohet.

Çfarë kërkojnë nxënësit dhe studentët

Ndër kërkesat kryesore është krijimi i 150 mijë vendeve të reja në arsimin e lartë, vënia në dispozicion e 10 miliardë eurove për punime urgjente rindërtimi dhe mirëmbajtjeje të shkollave, si dhe “punësimi masiv” i mësuesve.

Nxënësit protestojnë gjithashtu kundër mungesave të vazhdueshme të mësuesve pa zëvendësim, numrit të madh të nxënësve nëpër klasa dhe kushteve në godinat e vjetruara shkollore.

Lëvizja tashmë ka kaluar përtej shkollave të mesme, pasi organizatat studentore i janë bashkuar protestave dhe po bllokojnë ambientet universitare.

Përgjigjja e qeverisë

Përballë presionit të vazhdueshëm, kryeministri Sébastien Lecornu u ka kërkuar ministrave të tij të ndërmarrin hapa për trajtimin e disa prej kërkesave kryesore të nxënësve, në përpjekje për të ulur tensionet.

Ndër çështjet që qeveria duhet të shqyrtojë është zëvendësimi më i shpejtë i mësuesve që mungojnë, si dhe rishikimi i kohëzgjatjes së ditës shkollore, e cila në disa raste arrin deri në dhjetë orë.

Në diskutim është gjithashtu kërkesa për pushime më të gjata në mesditë.

Lecornu është zotuar se qeveria do të shqyrtojë edhe gjendjen e godinave të vjetra dhe problematike shkollore, duke u kërkuar ministrave përgjegjës të paraqesin propozimet e para konkrete deri në fund të tetorit.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit nisi të hënën një konsultim kombëtar me nxënësit e shkollave të mesme, duke i ftuar ata të paraqesin propozimet e tyre për përmirësimin e jetës së përditshme në shkollë.

Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, deklaroi se është e nevojshme “të merret parasysh larmia e përvojave shkollore” të nxënësve.

Siç shpjegoi ai, qëllimi i konsultimit është që qeveria “të dëgjojë propozimet e tyre dhe të ndërtojë së bashku me ta zgjidhje konkrete”.

Megjithatë, masat e ndërmarra deri tani nga qeveria nuk kanë çuar në uljen e tensioneve. Nxënësit dhe studentët vazhdojnë protestat, ndërsa sistemi arsimor francez përballet me një nga periudhat më të mëdha të trazirave të viteve të fundit. 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI