
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të hënën bëri thirrje për zbatimin e një armëpushimi të përhershëm në Rripin e Gazës mes Izraelit dhe Hamasit, në prag të përvjetorit të sulmit të 7 tetorit 2023. Ai theksoi gjithashtu nevojën për të ndërtuar një rrugë politike drejt një paqeje të qëndrueshme në të gjithë rajonin, duke shtuar se Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj këtij qëllimi.
“Është koha që armëpushimi të bëhet i përhershëm. Është koha për të mundësuar ndihmën humanitare në shkallë të gjerë. Është koha për të respektuar të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Guterres në një mesazh.
Guterres bëri thirrje për ndërtimin e një të ardhmeje ndryshe, ku izraelitët dhe palestinezët mund të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, me të drejtat, dinjitetin dhe aspiratat e tyre të realizuara plotësisht. Sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, të cilin kreu i OKB-së e cilësoi si të tmerrshëm, shkaktoi vdekjen e 1,221 personave në anën izraelite, shumica civilë.
“Unë vajtoj ata që u vranë në sulme dhe ata që humbën jetën në robëri. Vuajtjet e tyre dhe pikëllimi i pafund i familjeve të tyre nuk duhet të harrohen kurrë”, tha Guterres.
Ndërkohë, operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës kanë shkaktuar të paktën 74,200 viktima, shumica e tyre civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit në enklavën palestineze. Shifrat e saj konsiderohen të besueshme nga OKB-ja.
Guterres theksoi se në territorin palestinez, civilët vazhdojnë të përballen me kushte të patolerueshme. Vuajtjeve të tyre duhet tu jepet fund tani. Pas armëpushimit të shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në tetor 2025, e ardhmja politike e Rripit të Gazës mbetet e pasigurt.
Izraeli, i cili vazhdon të kontrollojë pjesën më të madhe të territorit, refuzon të tërheqë trupat e tij derisa Hamasi të çarmatoset. Nga ana tjetër, lëvizja islamiste palestineze thotë se çarmatimi do të jetë gradual, duke kundërshtuar dorëzimin e menjëhershëm dhe të njëanshëm të arsenalit.