Kur hapim kompjuterin apo telefonin në shtëpi, fatura që paguajmë çdo muaj për internetin nuk përcaktohet thjesht nga konkurrenca që shohim në dyqanet e lagjes. Përtej paketave “3-në-1” dhe ofertave me zbritje, ekziston një treg tjetër, i padukshëm për sytë e publikut. Ky është tregu me shumicë i telekomunikacionit.
Në Shqipëri, ky treg dominohet nga një infrastrukturë e ngurtë celulare (ONE Albania dhe Vodafone Albania) dhe një koncesion historik gjeografik, ai i ATU (Albanian Telecommunications Union) përgjatë autostradave kombëtare.
Ky bllokim i infrastrukturës bazë po e dënon konsumatorin shqiptar me raportin më të pafavorshëm në rajon midis çmimit dhe shpejtësisë së shërbimit e ashtuquajtura value for money.
Edhe pse shumë pak qytetarë mund të kenë dëgjuar për ATU-në në faturat e tyre, kjo kompani menaxhon “autostradën kryesore digjitale” (Backbone) të vendit. Kur një operator i vogël interneti (ISP) në Vlorë, Korçë apo Kukës dëshiron t’u ofrojë internet klientëve të tij, ai nuk mund të shtrijë kabllo private përgjatë rrugëve kombëtare pa paguar tarifa të larta. Ai detyrohet të marrë me qira linjat e ATU-së apo dy operatorëve të mëdhenj.
Shtrenjtimi i fshetë
Një raport i fundit i OECD gjeti se shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë në Ballkanin Perëndimor për internetin, rreth 38 dollarë në muaj për një paketë mujore broadband.
Por nëse e krahason këtë me cilësinë e shërbimit diferenca bëhet edhe më e madhe.
Sipas raporteve të fundit të OECD, për të njëjtin çmim, një familje në Shqipëri merr një shpejtësi mesatare fikse prej vetëm 27.6 Mbps. Në Maqedoninë e Veriut apo Serbi, po për atë buxhet, konsumatori merr përkatësisht 88.5 Mbps dhe 73 Mbps.
Pse ndodh kjo? Sepse nëse ISP-ja juaj lokale dëshiron t’ju rrisë shpejtësinë nga 30 në 100 Mbps, ajo duhet të blejë më shumë kapacitet tranziti (IP Transit) nga rrjeti qendror. Pasi përballet me tarifat e larta të monopolit të tranzitit, operatori i vogël tërhiqet sepse nuk mund të përballojë koston pa dalë me humbje.
Në vende me rrjete tranziti të lira dhe publike, ekzistojnë paketa interneti mjaft të lira (rreth 7–9 euro në muaj) të përshtatshme për pensionistët apo familjet me të ardhura të pakta që duan vetëm komunikim bazë. Në Shqipëri, çmimi dysheme i një pakete është rreth 1,500 – 1,800 Lekë.
Kostot e larta fikse me shumicë që ISP-të u paguajnë zotëruesve të rrjetit shtyllë e bëjnë të pamundur krijimin e paketave të lira. Dallimi mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj nuk është teknologjik, por rregullator dhe strukturor.
Maqedonia e Veriut dhe Serbia zbatojnë modelin publik neutral. Këto vende nuk janë të varura vetëm nga kompanitë private për rrjetin shtyllë.
Ndërmarrjet publike të energjisë (si MEPSO në Maqedoni apo EMS në Serbi) si dhe hekurudhat shtetërore kanë shtrirë rrjetet e tyre masive të fibrave optike. Ato ua japin këto fibra me qirë (Dark Fiber) të gjithë operatorëve me çmime të ulëta, të rregulluara direkt nga shteti. Kjo thyen monopolet e stilit ATU dhe garanton që çdo ISP e vogël të ketë akses të lirë.
Mali i Zi dhe Kosova (Konkurrenca e Shumëfishtë): Këto vende nuk kanë lejuar ekskluzivitete gjeografike rrugore. Disa operatorë kanë ndërtuar rrjetet e tyre paralelisht, duke krijuar një treg të lirë tranziti ku çmimet përcaktohen nga oferta dhe kërkesa, dhe jo nga tarifat e unifikuara të një ose dy lojtarëve dominantë.
Rreziku për të ardhmen ekonomike
Sipas raporteve të OECD, në një kohë kur ekonomia moderne bazohet tërësisht te shërbimet Cloud, Inteligjenca Artificiale dhe përpunimi i të dhënave në kohë reale, interneti i ngadaltë po kthehet në një pengesë serioze për konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare.
Nëse AKEP dhe Ministria e Infrastrukturës nuk ndryshojnë modelin e rregullimit të tarifave me shumicë (p.sh. duke detyruar hapjen e rrjeteve të aseteve të tjera publike si OST apo OSHEE për telekomunikacionin), konsumatorët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë faturat e Europës për të marrë shpejtësitë më të ulëta të rajonit. /Kapitali.al
cmime te lartalinja internetimonopol












