AKTUALITET /

Kurti kërkoi votat e opozitës për presidentin në këmbim të Speciales, tërhiqet nga kandidimi Bekim Sejdiu

Sejdiu tha se çështja e Presidentit s’duhet të lidhet “me tema të tjera që janë të rëndësishme për këtë vend”.

Shkruar nga Versus

Kurti kërkoi votat e opozitës për presidentin në këmbim

Profesori universitar Bekim Sejdiu ka deklaruar se nuk është më kandidat për President të Kosovës, pavarësisht se emri i tij është përmendur sërish si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik.

Sejdiu, i cili u tërhoq nga gara në shtator, tha se nuk e konsideron të denjë që dikush të zgjidhet President vetëm me qëllimin për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Nuk konsideroj që është e denjë me u zgjedh president dikush që zgjedhet vetëm me i shmang zgjedhjet. President duhet të zgjedhet dikush që e meriton atë pozitë”, deklaroi Sejdiu për Gazetën Infokusi.

Ai bëri me dije se ka njoftuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do të jetë më pjesë e procesit të zgjedhjes së Presidentit.

Sejdiu tha se kandidatura e tij ishte pjesë e dakordimit politik mes LDK-së dhe LVV-së dhe se e kishte mirëpritur mbështetjen e partive të tjera politike. Megjithatë, sipas tij, mungesa e votave e bëri të tërhiqej nga gara.

“Meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërheq nga kjo garë. E çmoj shumë besimin dhe vlerësimin nga të gjithë, por unë nuk jam më pjesë e këtij procesi”, u shpreh ai.

Profesori theksoi gjithashtu se zgjedhja e Presidentit nuk duhet të kushtëzohet apo të lidhet me çështje të tjera politike të rëndësishme për vendin.

Deklarata e Sejdiut vjen pasi Albin Kurti e përmendi sërish emrin e tij si një alternativë për postin e Presidentit, në një kohë kur procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit vijon të jetë në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë./Versus.al

Poll