AKTUALITET /

Durrës, rikthehen protestat kundër projektit TID. Banorët hedhin vezë drejt godinës së bashkisë dhe makinës së Emirjana Sakos

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e projektit dhe transparencë nga institucionet për procedurat që po ndiqen, veçanërisht për pronat që preken nga ndërhyrja.

Shkruar nga Versus

Durrës, rikthehen protestat kundër projektit TID. Banorët hedhin

Banorët e prekur nga projekti TID Durrës kanë protestuar sërish këtë paradite para Bashkisë së Durrësit, pak minuta para nisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e projektit dhe transparencë nga institucionet për procedurat që po ndiqen, veçanërisht për pronat që preken nga ndërhyrja.

Banorët deklarojnë se rreth tre javë më parë i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit me një kërkesë për informacion mbi projektin dhe pronat e prekura, por sipas tyre, ende nuk kanë marrë përgjigje.

Ndërkohë, çështja është pjesë edhe e një procesi gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Administrative të Tiranës. Në kuadër të procesit gjyqësor është kërkuar edhe pjesëmarrja e drejtoreshës së Drejtorisë Juridike të Bashkisë Durrës, Almeida Rroshi.

Situata para Bashkisë së Durrësit, u tensionua gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ku banorët e prekur nga projekti TID kanë protestuar kundër ndërhyrjes dhe procedurave të shpronësimit.

Në shenjë kundërshtimi, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të godinës së Bashkisë dhe makinës së kryebashkiakes Emirjana Sako, ndërsa kanë kërkuar shfuqizimin e projektit dhe transparencë mbi mënyrën se si po trajtohen pronat dhe banesat e prekura.

Gjatë protestës, banorët kanë shpalosur dhe pankarta me mesazhe kundër projektit dhe shpronësimeve.

“Kryetare Emiriana Sako, ndalo shpronësimet! Mos shto veprat penale!”, “Mos e prek Durrësin!”, “AADE mos prekni trashëgiminë!”, “S’na keni informuar, ju gënjeni” dhe “Bashki, po na hidhni nga banesat tona në rrugë” ishin disa prej sloganeve të protestuesve./Versus.al

 

Poll