Bekim Sejdiu ka konfirmuar tërheqjen përfundimtare nga gara për president të Kosovës, në një kohë kur vendi ndodhet në një ngërç politik për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ai ka bërë me dije se vendimin ia ka komunikuar sërish kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sejdiu ka argumentuar se nuk e sheh të arsyeshme zgjedhjen e presidentit vetëm për të shmangur zgjedhjet, ndërsa ka theksuar se kandidatura e tij kishte ardhur si pjesë e dakordësimit politik mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Tërheqja e tij vjen në një moment kur Kurti ka kërkuar nga PDK-ja mbështetje për Sejdiun, duke ofruar në këmbim votimin e ndryshimeve për Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“President duhet të zgjidhet dikush që e meriton atë pozitë. Meqë unë nuk i kam pasur votat, unë jam tërhequr nga kjo garë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka kërkuar gjithashtu që zgjedhja e presidentit të mos kushtëzohet me çështje të tjera politike, duke theksuar se mbështetja e pamjaftueshme parlamentare ishte arsyeja kryesore e vendimit të tij.
