Komisioni Europian propozon që procesi i integrimit gradual të vendeve kandidate të monitorohet çdo vit përmes dialogëve të posaçëm me secilin vend, ku do të vlerësohet ecuria e reformave, pjesëmarrja në politikat e Bashkimit Europian dhe hapat e nevojshëm për fazën e radhës të integrimit.
Sipas dokumentit, pas çdo dialogu do të hartohet një plan konkret me detyrat që mbeten për t'u përmbushur, institucionet përgjegjëse dhe mbështetjen teknike ose financiare që do të ofrojë Bashkimi Europian. Një pjesë e fondeve të instrumentit Global Europe do të përdoret pikërisht për të financuar këto reforma, forcimin e administratës, zbatimin e legjislacionit europian dhe ndërtimin e sistemeve të nevojshme për pjesëmarrjen në politikat dhe programet e BE-së.
Dokumenti thekson se përfshirja graduale në Bashkimin Europian do të mbetet e kushtëzuar dhe e kthyeshme. Vendet kandidate do të duhet të vazhdojnë të zbatojnë legjislacionin europian, të garantojnë kontrolle efektive dhe të bashkëpunojnë me institucionet e BE-së. Nëse këto kushte nuk plotësohen, pjesëmarrja në programet ose politikat europiane mund të pezullohet ose të hiqet, ndërsa masat korrigjuese do të kufizohen në sektorin ku konstatohet problemi ose, në rastet e shkeljeve më të gjera, mund të zbatohen masa më të gjera.
Si pjesë e këtij procesi, Komisioni propozon gjithashtu zgjerimin gradual të pjesëmarrjes së vendeve kandidate në programet, agjencitë, grupet e ekspertëve dhe strukturat operacionale të Bashkimit Europian, si edhe përfshirjen e tyre në hartimin e masave të reja për mbrojtjen e tregut të BE-së, në përputhje me përparimin e tyre në negociatat e anëtarësimit.
Lajmi kryesor:
Zgjerimi i BE-së, Komisioni prezanton planin e ri: Integrim gradual para anëtarësimit dhe kufizim të vetos! Në tetor udhërrëfyesi, Marta Kos: Shqipëria mes katër vendeve pararojë










