Të rinjtë braktisin bujqësinë, në Panaja tokat punohen kryesisht nga mosha e tretë

6 Tetor 2026 | 18:09

Të rinjtë po heqin dorë nga bujqësia dhe në shumë zona pranë Vlorës, përfshirë fshatin Panaja, pjesa më e madhe e tyre ka emigruar. Edhe të rinjtë që kanë mbetur në fshat nuk e shohin bujqësinë si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen, duke bërë që tokat të punohen kryesisht nga mosha e tretë.

Panaja është një nga zonat me traditë në kultivimin e rrushit dhe ullirit, si dhe në prodhimin e verës, rakisë dhe vajit të ullirit. Por mungesa e të rinjve po vë në pikëpyetje vazhdimësinë e kësaj tradite.

Fermerët që merren me ullirin thonë se puna në tokë nuk mungon, por fitimi është i ulët për shkak të kostove të larta dhe vështirësive në shitjen e prodhimit. Çmimi i naftës, plehrave dhe shpenzimeve të tjera, sipas tyre, e vështirëson ndjeshëm ekonominë e fermës.

 “Me bujqësi merrem, kultivoj ullinj. Po të punosh ia vlen, por s’ka treg. Çdo gjë është e shtrenjtë dhe me çmimin e vajit, naftën e plehrat nuk fiton ndonjë gjë. Të rinjtë janë shumë pak, kanë ikur dhe kanë mbetur pleqtë, që përpiqen të nxjerrin diçka, se me pensionet s’ia dalin”, është shprehur një kultivues ulliri.

Edhe fermerët në moshë të thyer vazhdojnë të punojnë tokat, pavarësisht vështirësive fizike. Një prej tyre, mbi 80 vjeç, tregon se ka reduktuar aktivitetin dhe se fëmijët e tij nuk janë kthyer më në fshat.

 “Unë jam mbi 80 vjeç dhe kam 3 dynym ullinj. S’kam më fuqi. Kam pasur dhe vreshta, por i hoqa se s’i mbaja dot. Vjel nipi, e ndajmë vajin. Nuk kthehen më fëmijët”, është shprehur një burrë.

Vështirësitë nuk janë vetëm te ulliri. Edhe fermerët e vreshtave thonë se mungesa e fuqisë punëtore i detyron të punojnë vetëm me familjarët, ndërsa mungesa e sistemeve të vaditjes mbetet një tjetër problem për prodhimin.

 “Bujqësia është sektor i mirë, por nuk ka ujë për vaditje. Kam 3 dynym vresht Shesh i Zi, shes rrush, bëj verë e raki. Punoj vetëm me gruan, fëmijët më kanë ikur. Nuk kam marrë mbështetje fare”, është shprehur kultivuesi i rrushit.

Në Panaja kultivohet kryesisht rrushi i varietetit “Shesh i Zi”, me të cilin prodhohen vera dhe rakia, ndërsa në ullishte mbizotëron varieteti Kalinjot. Fshati njihet në zonën e Vlorës për prodhimin e verës dhe vajit të ullirit. Fermerët thonë se pa një brez të ri që të marrë përsipër tokat, tradita bujqësore e Panajasë rrezikon të zbehet. Kostot e larta, mungesa e tregut, vaditjes dhe mbështetjes, së bashku me emigrimin e të rinjve, po e lënë bujqësinë gjithnjë e më shumë në duart e moshës së tretë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

E zhdukur që prej muajit korrik, gjendet trupi i pajetë i 73-vjeçares në Dibër

Trupi i një 73-vjeçareje është gjetur këtë të martë, e cila, sipas raportimeve, ka qenë e zhdukur që prej muajit korrik. Sipas njoftimit, trupi është...
17:34 | 06/10/2026

Incidenti në protestë me gazetarin Bledi Mane, reagon policia: Askush nuk merr dot ligjin në dorë

Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të 5 tetorit në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua, duke bërë të ditur se po vijojnë...
14:42 | 06/10/2026

Tiranë, 4 në pranga për drogë, tre shisnin kokainë pranë shkollave

Katër persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga Policia e Tiranës, në kuadër të kontrolleve dhe operacioneve të zhvilluara për goditjen e veprimtarisë kriminale...
14:05 | 06/10/2026