
Një anije tregtare është fundosur në Detin e Zi pas një sulmi me dronë, ndërsa fati i ekuipazhit të saj mbetet ende i paqartë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet bullgare.
Kryeministri bullgar Rumen Radev tha se një tjetër anije, e cila transportonte drithëra, u godit brenda zonës ekonomike ekskluzive të Bullgarisë, anëtare e NATO-s, në atë që e quajti sulm të papranueshëm.
Të 18 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan, ndërsa dy prej tyre mbetën të plagosur. Sulmet ndodhën rreth orës 3 të mëngjesit, rreth 112 kilometra larg qytetit bregdetar bullgar Byala.
“Ky është një sulm absolutisht i papranueshëm në zonën ekonomike ekskluzive të Bullgarisë, një shkelje flagrante e ligjit detar, e së drejtës ndërkombëtare dhe, në përgjithësi, e ligjit të detit.
Ajo që po ndodh e bën lundrimin në Detin e Zi jashtëzakonisht të vështirë, rrit edhe më tej kostot e sigurimit dhe vështirëson ndjeshëm transportin detar.”
Anija e fundosur, Alfa Watan, ishte në pronësi turke dhe lundronte nën flamurin e Togos. Autoritetet bullgare kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit për ekuipazhin e saj.
Radev nuk tha se kush qëndron pas sulmeve, por paralajmëroi se lufta po zgjerohej gjeografikisht, duke rritur rrezikun për një konflikt global.
Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, i dënoi sulmet, duke deklaruar se goditja e anijeve civile dhe rrezikimi i jetës së ekuipazheve është e papranueshme.
Sulmet ndodhën një ditë pasi një tjetër anije transporti në pronësi turke, e cila po transportonte misër, u përfshi nga flakët pas një sulmi me dronë dhe më pas u fundos në Detin e Zi, pranë brigjeve të Rumanisë.
Autoritetet rumune thanë se dy persona humbën jetën, ndërsa 11 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan.
(A2 Televizion)