Prokuroria i kërkoi Gjykatës Themelore në Kumanovë që Trajko Bojkovski, i akuzuar si vrasës serial nga Staro Nagoriçane, të dënohet me burgim të përjetshëm.
Të lidhura
None found
Bojkovski përballet me akuza për katër vrasje dhe dy tentativa për vrasje.
Gjatë fjalës së tij, prokurori publik Ljubomir Lape deklaroi se Bojkovski, ndonëse ushtronte profesionin e bariut, nuk i mbronte personat e pambrojtur, por i kthente ata në viktima. Sipas tij, i akuzuari shënjestronte gra të moshuara dhe beqare, të cilat më pas i sulmonte.
Lape tha se provat dëshmojnë pa mëdyshje se Stançe Karevska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska humbën jetën në të njëjtën mënyrë, përmes mbytjes dhe presionit në gjoks. Ai shtoi se disa prej viktimave kishin edhe dëmtime në organet gjenitale, ndërsa gjurmë të ADN-së së të akuzuarit u identifikuan te dy viktima dhe një prej të mbijetuarave.
Bojkovski mohon përfshirjen në vrasjen e Stançe Karevskës. Megjithatë, prokurori argumentoi se gjatë dëshmisë së tij ai përmendi të dhëna për kohën dhe mënyrën e kryerjes së krimit, të cilat përputhen me rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.
Edhe avokatja e disa palëve të dëmtuara, Dragana Ilievska-Todoroviq, tha se provat e lidhin Bojkovskin me vrasjen e Karevskës, pavarësisht se ai nuk e pranon atë./Telegrafi/
