Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hapur tenderin për blerjen e sistemeve të reja të sigurisë kibernetike, me një fond limit prej 64.6 milionë lekësh, rreth 650 mijë euro. Procedura me objekt “Sisteme për sigurinë kibernetike” është shpallur më 5 tetor dhe kompanitë kanë afat deri më 5 nëntor për të dorëzuar ofertat.
Investimi vjen pas incidentit të sigurisë ku u vunë në shënjestër llogaritë elektronike të disa prokurorëve të SPAK-ut, ndërsa pati edhe tentativë për ndërhyrje në email-in e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Sipas raportimeve, nga incidenti u nxorën të dhëna, ndërsa SPAK ka deklaruar se nuk u cenuan dosjet hetimore apo sistemet e brendshme të institucionit.
Në lidhje me këtë çështje janë marrë masa ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në ndërhyrjet e paligjshme në sistemet kompjuterike dhe komunikimet elektronike. Mes tyre janë Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjonaj, ndërsa hetimi ka përfshirë edhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.
Me tenderin e ri, SPAK synon të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së tij digjitale dhe të krijojë një sistem më të integruar kundër sulmeve kibernetike. Dokumentet e tenderit parashikojnë sisteme për monitorimin e sigurisë, kontrollin e aksesit dhe kufizimin e lëvizjeve të mundshme të një sulmi brenda rrjetit.
