Ish-kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë, August Hanning, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh, tradhti dhe sigurim të informacioneve të klasifikuara për një fuqi të huaj.
Hanning drejtoi BND-në nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe më pas punoi si konsulent privat. Prokuroria Federale gjermane e akuzon se ka përdorur informacione sekrete për të hartuar një analizë për një shërbim të huaj inteligjence, ndërsa dyshohet se ka mbajtur kontakte edhe me një tjetër shërbim sekret.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë.
Në pranga ka rënë edhe një ish-punonjës i BND-së, i identifikuar si Manfred D. Ai akuzohet se i ka siguruar Hanning rreth 2 mijë dokumente të klasifikuara, kundrejt pagesës.
Sipas prokurorëve, Manfred D. kishte akses në informacione shumë konfidenciale për shkak të detyrës së tij dhe, për vite me radhë, ia ka dorëzuar këto materiale Hanningut.
Një prej rasteve që po hetohet lidhet me përdorimin e informacioneve të klasifikuara për hartimin e një analize për një zyrtar të një shërbimi të huaj të inteligjencës. Prokuroria thotë se ende nuk dihet nëse materiali ka përfunduar te personi për të cilin ishte përgatitur.
Hanning dyshohet gjithashtu se për disa vite ka qenë në kontakt të afërt me një përfaqësues të një tjetër shërbimi të huaj, të cilit i ka përcjellë informacione politike, disa prej tyre të bazuara në dokumentet e siguruara nga Manfred D.
Hetimi ndaj Hanningut thuhet se doli në dritë gjatë një tjetër çështjeje penale që lidhet me trashëgimtaren gjermane Christina Block. Hetuesit zbuluan një pajisje elektronike me informacione të ndjeshme, përfshirë dokumente të fundit të BND-së.
Hanning pritet të dalë para gjykatës të mërkurën, ndërsa Manfred D. do të paraqitet para gjykatës të martën.
Ky nuk është rasti i parë që BND përballet me akuza të rënda për nxjerrje të sekreteve shtetërore. Në vitin 2023, një zyrtar i lartë i shërbimit gjerman u akuzua për tradhti, pasi dyshohej se kishte kaluar informacione sekrete Rusisë.













