UEFA ka hapur një hetim në lidhje me një sherr që ndodhi në tunelin e stadiumit gjatë sfidës së Nations League mes Irlandës dhe Izraelit të zhvilluar ditën e diel në fushën neutrale të ‘Bačka Topola’ në Serbi dhe që u mbyll me barazimin 1-1.

Sipas asaj që publikohet në median ndërkombëtare, një anëtar i stafit teknik të Irlandës pretendoi se është pështyrë nga një futbollist izraelit, ndërkohë që trajneri Heimer Hallgrimsson më pas në konferencën për shtyp konfirmoi se pati një përplasje.

‘Po, isha aty, por nuk dua të komentoj. Është një çështje që ndoshta do të ekzaminohet nga Komisioni i Disiplinës-tha trajneri i kombëtares irlandeze.

Dhe në fakt, UEFA këtë të martë bëri të ditur se ‘pas sinjalizimeve dhe raporteve zyrtare të ardhura për një incident të ndodhur në tunel apo pranë tij gjatë pushimit, është caktuar një inspektor nga Etika dhe Disiplona për të kryer hetimet disiplinore në lidhje me sjellje jokorrekte të mundshme nga ana e një apo më shumë futbollistëve’.

I pyetur në lidhje me këtë çështje, trajneri i Izraelit, Ran Ben Shimon pohoi se nuk kishte parë gjë. Ajo e së dielës ishte hera e dytë në një javë që dy skuadrat përballeshin me njëra-tjetrën mes një klime të tensionuar për shkak të luftës në Gaza. Irlanda kishte fituar ndeshjen e parë 3-0 në Hungari me futbollistët që mbajtën shiritin e zi në krahë për viktimat. Ndërsa në sfidën e së dielës ishin izraelitët që mbajtën shiritin e zi për të përkujtuar viktimat e sulmit të Hamasit në 7 tetor të 2023.

Futbollistët irlandezë sërish ulën kokën në momentin e ekzekutimit të himnit izraelit dhe futbollistët e të dyja skuadrave refuzuan të shtrëngonin duart mes tyre përpara fillimit të ndeshjes.

 

Top Channel