
Komisioni Evropian ka prezantuar paketën e re për përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin e ardhshëm, duke parashikuar një qasje të re për integrimin e vendeve kandidate.
Paketa u prezantua këtë të martë në Strasburg nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos. Sipas saj, dokumenti nuk ndryshon kushtet që vendet kandidate duhet të plotësojnë për anëtarësim, por përcakton mënyrën se si vetë BE-ja duhet të përgatitet për një zgjerim të ri.
Paketa fokusohet në pesë fusha kryesore: qeverisjen e BE-së, shtetin e së drejtës, politikat evropiane, buxhetin dhe integrimin gradual të vendeve kandidate.
Kos tha se një prej objektivave është reduktimi i rasteve kur një vend i vetëm mund të bllokojë vendime të mbështetura nga shumica e vendeve anëtare.
“Është e mundur të reduktohen rastet kur një vend i vetëm bllokon vendime që mbështeten nga të gjithë të tjerët”, deklaroi ajo.
Shqipëria mes vendeve kryesuese
Një nga elementët më të rëndësishëm për Shqipërinë është hartimi i një udhërrëfyesi orientues (“roadmap”) për vijimin e negociatave të anëtarësimit.
Marta Kos bëri të ditur se Shqipëria është një nga katër vendet që Komisioni Evropian i konsideron aktualisht më të avancuara në procesin e përgatitjes për anëtarësim. Në të njëjtin grup janë Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina.
“Ne kemi identifikuar katër vende kryesuese. Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Këto vende kanë treguar përparim të konsiderueshëm sa i përket gatishmërisë gjatë viteve të fundit”, tha Kos.
Sipas saj, udhërrëfyesit pritet të publikohen së bashku me raportet e zgjerimit më 28 tetor dhe do të përcaktojnë hapat e ardhshëm për secilin vend, me afate orientuese dhe rezultate konkrete që duhet të arrihen.
“Ne duam t’i ndihmojmë ato të ruajnë përparimin në reforma dhe këta udhërrëfyes do të përcaktojnë hapat e ardhshëm. Ato do të përmbajnë afate kohore orientuese dhe rezultate të qarta që duhet të arrihen”, deklaroi Komisionerja për Zgjerimin.
Ajo theksoi se procesi do të vazhdojë të bazohet në meritat individuale të çdo vendi kandidat dhe se nuk do të ketë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit.
Integrim gradual para anëtarësimit
Paketa e re parashikon gjithashtu që vendet kandidate të mund të integrohen gradualisht në politika dhe programe të BE-së edhe përpara anëtarësimit të plotë, nëse plotësojnë kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Komisioni do të hartojë një pasqyrë të instrumenteve ekzistuese të integrimit dhe synon të paraqesë një qasje të re deri në fund të tetorit.
Pjesëmarrja do të jetë e kushtëzuar dhe e kthyeshme. Vendet kandidate do të duhet të vazhdojnë zbatimin e legjislacionit evropian, të garantojnë kontrolle efektive dhe të bashkëpunojnë me institucionet e BE-së.
Në rast se kushtet nuk përmbushen, pjesëmarrja në programe ose politika të caktuara mund të pezullohet apo të hiqet.
Katër hapat e ardhshëm
Komisioni Evropian ka përcaktuar katër hapa kryesorë për zbatimin e paketës.
I pari është publikimi i “roadmap”-eve për vendet kandidate më të avancuara, së bashku me raportet e zgjerimit në fund të tetorit.
Hapi i dytë është përgatitja e fazës së re të integrimit gradual, duke afruar vendet kandidate me politikat dhe programet e BE-së përpara anëtarësimit të plotë.
Hapi i tretë lidhet me krijimin e mekanizmave të rinj mbrojtës, të cilët do të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Sipas Kos, këto mekanizma do të zbatohen fillimisht në rastin e Malit të Zi.
Ndërsa hapi i katërt lidhet me Ukrainën dhe ndikimin e mundshëm të anëtarësimit të saj në politikën bujqësore të Bashkimit Evropian, veçanërisht gjatë diskutimeve për hapjen e Klasterit 5 të negociatave.
Komisioni propozon që progresi i vendeve kandidate në këtë proces të monitorohet çdo vit përmes dialogëve të posaçëm. Pas tyre do të hartohen plane konkrete me detyrat që duhet të përmbushen, institucionet përgjegjëse dhe mbështetjen teknike ose financiare që do të ofrojë BE-ja.
Në këtë kuadër, vendet kandidate pritet të kenë edhe pjesëmarrje më të gjerë në programet, agjencitë, grupet e ekspertëve dhe strukturat operacionale të BE-së, në përputhje me përparimin e tyre në negociatat e anëtarësimit./Versus.al
⚡️ #Moldova will receive an EU accession roadmap on October 28, European Commissioner for Enlargement Marta Kos announced. Another three most advanced candidates to receive roadmaps are Ukraine, Montenegro, Albania. https://t.co/kg2RxdjVzA
— Denis Dermenzhi (@iamdenya_de) October 6, 2026

