Pasditja e kësaj të marte i ka gjetur disa qytetarë të Lezhës në ambientet e Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, pasi Sali Berisha po mban foltoren “Ripërtëritja”. Duke kujtuar të mirat dhe arritjet e bëra deri në vitin 2012, Berisha u krenua me punën e realizuar gjatë viteve që ia ka qenë kryeministër, ndërsa premtoi se nëse qytetarët i besojnë sërish votën, do të bëjë më të mirën për ta, duke premtuar që do të zhdukë të keqen që e ka zënë këtë vend.
“Asnjëri prej jush nuk qëndroi këtu për interesa personale, qëndroi me besimin se qeveria duhet të ketë një opozitë të vërtetë. Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e vlerave tona shoqërore, njerëzore kombëtare. Ne duhet të jemi krenarë që përmbushëm këtë misionin sepse u treguam të pamposhtur të pathyeshëm. Shqipëria në këto vite pati një opozitë të fortë.
Në këtë drejtim dua të them se koha na thërret ne të ripërtërijmë Shqipërinë. Koha na thërret ne të përzëmë të keqen më të madhe të Shqipërisë. Koha na thërret që t’u japim përgjigje më të drejta më të shpejta, problemeve madhore me të cilat përballet shoqëria jonë, qytetari ynë.”, tha Berisha.
Më tej lideri demokrat ironizoi rritjen e çmimeve në Shqipëri duke theksuar se vendi ynë ka kostot më të larta, dhe situata e sotme është më keq se në kohë e diktaturës.
“Sot janë qindra mijëra shqiptarë në tërësi të moshuar e pensionistë, të cilët me pensionin që marrin për shkak të rritjet stratosferike të atmosferës, nuk sigurojnë ushqimin normal në më shumë se dy muaj.
Miq e njëjta gjë ndodhte në diktaturë. Edhe sot një pensionist nuk blen dot ilaçet, por sëmundja e gërryen atë në çdo ditë të jetës. Sot të rinjtë shqiptarë në përllogaritje që bëjnë nuk ndërtojnë dot jetën në Shqipëri.” shtoi më tej Berisha.
Vëmendje të veçantë gjatë fjalës së tij Berisha i kushtoi dhe të mirat që ai i mundësoi Shqipërisë kur ishte kryeministër, duke theksuar këtu se demokratët kanë bërë dhe gjëra më të mëdha sesa ato të dukshmet, mirësinë.
Ashtu si në fillim dhe në mbyllje të fjalës së tij Berisha u zotua para lezhjanëve se nëse këta të fundit i besojnë sërish qeverisjen e vendit, ai së bashku me demokratët do të ripërtërijë vendin.
“Gjatë atyre viteve të qeverisjes ne bëmë disa gjëra, jo të vogla, rrugën e Kombit. Ka disa gjëra të tjera shumë më të mëdha se ne bëmë, janë të pa zë. Ato gjëra janë e vërteta që ne rikthyem në mirësi, mirëqenien, rritjen ekonomike të këtij vendi. Do të mbetet rekordi më i çmuar i jetës sonë.
Shumë miq më thonin në ato kohë: Sali keni bërë gjë të madhe. Përfillja në atë kohë ishte superficiale, jo reale. Ka një gjë tjetër edhe më të madhe, ka një grup shkencëtarësh në Boston, i cili studioi 150 vende. Se si këto qeveri e shndërronin rritjen ekonomike në mirëqenie për qytetarin.
Ne i vendosëm frena abuzimit. Ministrave ua ritëm rrogat sa për udhëtime dhe kursyem 40 milionë euro. Ne ndërtuam dhe ndërtuam 1200 objekte për arsim. Kjo qeveri kishte vetëm një tipar, mendonte për rritjet, hallet e problemet e qytetarëve. Shqipëria në të cilën njerëzit qëndronin në orë të tëra për qumësht, u bë eksportues qumështi.
Unë i rikthehem këtyre për të thënë se ato që bëmë njëherë ne do e bëjmë përsëri. ndaj ne na duhet pushtetit dhe për të ardhur në pushtet ne duhet të ripërtërihemi. Ata që votuan kandidatët e PD-së në Lezhë e Shqipëri kanë bërë akt heroizmi. Tani koha thërret në moton të ripërtërijmë Shqipërinë dhe PD-në.” vijoi më tej lideri demokrat.
