Komisioni Europian ka zyrtarizuar sot “Rishikimet e Politikave përpara Zgjerimit”, duke përcaktuar kuadrin e reformave të brendshme institucionale, të qeverisjes dhe të mekanizmave mbrojtës që do të shoqërojnë valën e ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ky dokument strategjik vjen pas vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një ndër vendet udhëheqëse në procesin e zgjerimit.

Sipas Kryeministrisë, dokumenti konfirmon se reformat e brendshme të BE-së dhe përparimi i vendeve kandidate do të ecin paralelisht, duke parashikuar përfshirjen e një udhërrëfyesi specifik për anëtarësimin e Shqipërisë në Paketën e Zgjerimit të vitit 2026.

Rishikimi gjithëpërfshirës thekson se politikat ekzistuese të Bashkimit Europian nuk kërkojnë një rikonceptim të plotë strukturor për të përfshirë anëtarët e rinj.

BE-ja po zbaton parimin e “Integrimit përmes Projektimit”, duke përfshirë skenarët e zgjerimit që në fazën e hartimit të politikave të ardhshme dhe të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar (MFF) 2028–2034.

Kjo qasje synon të ruajë aftësinë e Unionit për të vepruar dhe të forcojë rolin e zgjerimit në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit europian.

Në fokus të dokumentit janë tre elemente kryesore reformuese:

Së pari, rishikimi i mekanizmit të Nenit 7 për shkeljet shumë të rënda të shtetit të së drejtës. Në vend të pragut aktual prej katër të pestave të anëtarëve për pezullimin e së drejtës së votës në Këshill, Komisioni Europian propozon zbatimin e një “shumice të cilësuar të kundërt” (Reverse QMV). Sipas këtij mekanizmi, vendimi i Komisionit për vendosjen e sanksioneve do të hynte në fuqi automatikisht, përveç rasteve kur shtetet anëtare formojnë shumicën e nevojshme për ta rrëzuar. Synimi është që mbrojtja e vlerave europiane të bëhet më efikase dhe mekanizmi më i lehtë për t’u zbatuar.

Së dyti, vendosja e garancive të rrepta financiare. Dokumenti propozon ngrirjen ose kufizimin e fondeve të reja të Unionit në rastet kur një vend anëtar apo kandidat shkel angazhimet e ndërmarra ose nuk respekton parimet e shtetit të së drejtës.

Së treti, përcaktimi i rregullave për të drejtat e anëtarëve të rinj. Vendet që anëtarësohen do të gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me 27 anëtarët aktualë, përfshirë të drejtën për të pasur një komisioner dhe të drejtën e vetos në vendimmarrje.

Parashikohet, megjithatë, mundësia që anëtarët e rinj të angazhohen vullnetarisht për të mos e përdorur veton për çështje që lidhen me mosmarrëveshjet dypalëshe në kontekstin e zgjerimit, duke parandaluar bllokimin e procesit për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve.

Kuadri i ri mbështet gjithashtu modelin e “Integrimit Gradual”, të bazuar në meritë, i cili i mundëson Shqipërisë qasje progresive në sektorë dhe programe kyçe të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Ky model parashikon integrim të përshpejtuar në fusha si siguria kibernetike, mobiliteti ushtarak, Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) dhe rrjetet trans-europiane të energjisë, duke sjellë përfitime të prekshme ekonomike dhe infrastrukturore.

Dokumenti i Komisionit Europian e vlerëson mbështetjen strategjike për zgjerimin si një investim me përfitime në raport me kostot për qytetarët e BE-së. Ai thekson se afrimi i vendeve që kanë përparuar më shumë në proces, si Mali i Zi dhe Shqipëria, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit përmes zgjerimit të tregut dhe të hapësirës europiane.

Ky rishikim i politikave, sipas Qeverisë, përbën një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për përparimin e Shqipërisë drejt objektivit strategjik “Shqipëria 2030”.

Reformat dhe konsensusi kombëtar mbeten thelbësorë për anëtarësimin në familjen europiane. Sipas Qeverisë, Shqipëria është plotësisht e vendosur të vijojë punën me të njëjtin vullnet dhe angazhim për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe realizimin e misionit historik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
Zgjerimi i BE-së, Hoxha: Shqipëria është gati të anëtarësohet dhe të kontribuojë në të ardhmen e Unionit

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mirëpriti Komunikimin e sotëm të Komisioneres Marta Kos mbi përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin me anëtarë të rinj.

Në një reagim në platformën ‘X’, ministri Hoxha shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vijuar reformat dhe për të punuar ngushtë me shtetet anëtare dhe Komisionin Evropian për një udhërrëfyes ambicioz, por realist drejt anëtarësimit.

“Shqipëria është gati. Jo vetëm për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së tij”, u shpreh ai.

Hoxha theksoi se zgjerimi kërkon përgatitjen e të dyja palëve, si të vendeve që synojnë anëtarësimin, ashtu edhe të vetë Bashkimit Evropian.

“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gatishmërinë e vendeve kandidate për t’u anëtarësuar. Ai ka të bëjë po aq edhe me gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’i mirëpritur ato”, deklaroi ministri.

Sipas tij, për Shqipërinë, zgjerimi është një projekt strategjik i përbashkët, i cili forcon demokracinë dhe përmirëson jetën e qytetarëve shqiptarë, ndërsa kontribuon edhe në sigurinë, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës.

Në këtë kuadër, ministri rikonfirmoi angazhimin për përmbushjen e reformave dhe mbështetjen për integrimin gradual, përmes hapave konkretë dhe me ndikim.

Duke e parë zgjerimin si pjesë thelbësore të historisë dhe të së ardhmes së Evropës, Hoxha nënvizoi se ky proces e bën kontinentin më të fortë dhe më të bashkuar.

“Për një Evropë më të fortë në shtëpi. Një Evropë më të fortë në botë”, përfundoi reagimin e tij ministri Hoxha.