
Të gjitha lavazhet në vend kanë afat deri më 31 tetor për të ndërprerë përdorimin e ujit të pijshëm në aktivitetin e tyre.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK) u ka bërë thirrje subjekteve që të marrin masat për sigurimin e një burimi alternativ furnizimi, duke paralajmëruar se pas përfundimit të afatit do të nisë intensifikimi i kontrolleve.
“Mos prisni kontrollin. Merrni masat brenda 31 tetorit. Pas kësaj date do të intensifikohen kontrollet dhe do të zbatohen masat administrative të parashikuara nga ligji”, deklaroi drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka.
Kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, ndërsa çdo shkelje do të dokumentohet dhe do të ndiqet sipas procedurave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
AKUK paralajmëron veçanërisht për ndërhyrjet e paligjshme në rrjetin publik të ujësjellësit, të cilat, sipas autoriteteve, përbëjnë vepër penale.
“Çdo lidhje e paligjshme që do të konstatohet do të dokumentohet dhe do t’u referohet organeve kompetente. Pa përjashtim. Rrjeti publik i ujit të pijshëm është pasuri e përbashkët dhe askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në të në mënyrë të paligjshme”, tha Çuka.
Sipas AKUK, ndërhyrjet e paligjshme në rrjet rrisin humbjet e ujit, mund të ndikojnë në presionin dhe funksionimin normal të sistemit, si dhe të cenojnë furnizimin me ujë të qytetarëve./Versus.al

