
Komisioni Europian ka publikuar dokumentin e ri për rishikimin e politikave përpara zgjerimit të Bashkimit Europian, duke përcaktuar mënyrën se si Unioni do të përgatitet për anëtarët e rinj.
Sipas qeverisë shqiptare, dokumenti konfirmon pozicionin e Shqipërisë si një ndër vendet më të avancuara në procesin e integrimit. Në Paketën e Zgjerimit për vitin 2026 parashikohet edhe një udhërrëfyes specifik për anëtarësimin e Shqipërisë.
Në dokument propozohet një përdorim më efikas i mekanizmave për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, përfshirë mundësinë e kufizimit të fondeve për vendet që nuk respektojnë angazhimet dhe parimet europiane.
Një tjetër element është integrimi gradual. Vendet kandidate mund të përfshihen më herët në politika dhe programe të BE-së, përpara anëtarësimit të plotë, nëse përmbushin kushtet.
Për Shqipërinë, ky proces mund të sjellë përfshirje më të hershme në fusha si siguria kibernetike, mobiliteti ushtarak, SEPA dhe rrjetet europiane të energjisë.
Dokumenti trajton edhe të drejtat e vendeve të reja anëtare, duke parashikuar të drejta të barabarta me anëtarët aktualë, ndërsa propozohet që çështjet e zgjerimit të mos bllokohen për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
(A2 Televizion)