Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Riminit në Itali, ku një punëtor shqiptar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës.
Viktima është identifikuar si Saim Myrtaj, 59 vjeç, me profesion murator dhe me origjinë shqiptare.
Aksidenti ndodhi në orët e para të pasdites, rreth orës 13:30, në rrugën Coletti, në zonën Rivabella të Riminit. Myrtaj po punonte në një pallat dykatësh, ku po kryheshin punime mirëmbajtjeje të jashtëzakonshme, veçanërisht në tarraca dhe në pjesën e kornizës së çatisë.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 59-vjeçari dyshohet se po punonte i vetëm në katin e dytë të skelës. Për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta, ai ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga disa metra lartësi.
Pas rënies, punëtori ka përfunduar në tarracën e banorit të katit të parë. Ky i fundit, pasi ka dëgjuar një zhurmë të fortë dhe ka kuptuar se kishte ndodhur një aksident, ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës mjekësore 118, me një ambulancë dhe një automjet mjekësor. Ekipet e shpëtimit i dhanë ndihmën e parë 59-vjeçarit dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, ai u transportua me helikopter drejt spitalit Bufalini të Cesena-s.
Myrtajt u shtrua në repartin e reanimacionit, por plagët e marra nga rënia rezultuan fatale. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë në spital.
Në vendin e aksidentit mbërritën gjithashtu zjarrfikësit, efektivët e Policisë së Shtetit dhe teknikët e Mjekësisë së Punës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të rindërtuar me saktësi dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në rënien fatale.
Një tjetër pikë që po verifikohet nga autoritetet është respektimi i masave të sigurisë në kantier dhe në strukturën e skelës ku po punonte viktima.











