
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë një ofertë të re ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, vetëm pak orë para se Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Kurti deklaroi se Vetëvendosje është e gatshme të votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes s ë Presidentit të Kosovës.
Sipas Kurtit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, duhet të dalë publikisht dhe të deklarojë se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votim, pavarësisht nëse votojnë pro, kundër apo abstenojnë.
“Meqë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po arrin të takohet me ne, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit, qoftë për, abstenim apo kundër”, tha Kurti.
Ai shtoi se pas këtij zotimi, Vetëvendosje do të mbështeste ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale në lexim të dytë, edhe nëse PDK-ja e konsideron problem mosrespektimin e afatit 72-orësh mes dy leximeve.
“Ne ua votojmë ligjin dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, u shpreh Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes foli edhe për kandidaturat për President. Ai tha se PDK-ja kishte refuzuar më herët ofertën për të mbështetur Bekim Sejdiun, duke shtuar se një përgjigje pozitive nga opozita mund ta rikthente atë në garë.
Kurti përmendi gjithashtu dy emrat e tjerë të propozuar nga Vetëvendosje, Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, duke thënë se të dy mbeten kandidatë nëse ka interesim nga opozita.
Oferta e re e Kurtit vjen në një moment kritik për procesin e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa palët politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për të siguruar pjesëmarrjen e nevojshme në votim./Versus.al

