“Ngërçi” për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës sa vjen dhe thellohet më tej, edhe pse për pak orë mbaron afati. Kreu in LVV-së, njëherazi kryeministri i vendit Albin Kurti ka dalë me një tjetër propozim për Bedri Hamzën e PDK-së duke kërkuar që ai të zotohet bashkë me të vetët që do të japin votën në zgjedhjen e presidentit, ndërsa në këmbim Kurti premton se do t’u votojnë atyre Projektligjin për Gjykatën Speciale.
“Propozimi ynë më i ri është ky: Meqë nuk po mund të arrijë ta takojë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del sonte dhe të zotohet që i gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për president dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72 orësh ndërmjet dy leximeve.
Ne ua votojmë Projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për President, Glauk Konjufca ose Feride Rushiti. Pra, një seancë Kuvendi sonte me dy pika. Votimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e presidentit të ri të Republikës.”, tha Kurti në konferencën e mbajtur për mediat.
Ashtu siç raportuam dhe pak më parë, Bedri Hamza e refuzoi publikisht Kurtin për të arrirë një marrëveshje për president, duke ia bërë të qartë se kryeministri nuk mund të imponojë dot partitë e tjera në orët e fundit që duhet të zgjidhet kreu i shtetit.
Ashtu siç kemi raportuar dhe ne më parë, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar përkrahjen e partive të tjera politike për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në një prej neneve kryesore ku flitet për hyrjen në fuqi të Ligjit dhe ndërlidhjen me procedurat që janë duke vazhduar në Hagë, sqarohet se rastet që janë duke u zhvilluar në procedurë paraprake apo në Apel, vazhdojnë të shqyrtohen sipas dispozitave të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ligji zbatohet për secilën procedurë të mëtejshme që në datën kur Gjykata e Apelit të Hagës do të nxjerr vendim për katërshen e UÇK-së.


