Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë të re PDK-së për zhbllokimin e situatës politike. Kurti ka shprehur gatishmërinë që LVV-ja ta votojë ligjin për Specialen, para se të procedohet me votimin për presidentin e ri të Kosovës. Por sipas tij, PDK duhet të votojë sot Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për president të ri të Kosovës.
“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha Kurti.
Ai tha se, nëse PDK pranon, partia e tij do ta thërrasë seancën e Kuvendin me dy pika: votimi i projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e presidentit të ri të republikës.
Më herët Kurti i kërkoi PDK-së që presidenti të zgjidhet sot, ndërsa të enjten paradite të votohet në lexim të dytë projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në këmbim, ai garantoi se 62 deputetë do të jenë të enjten në Kuvend për votimin e Speciales.
“Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK, ne po procedojmë me votimin dhe leximin e tyre. Por kërkojmë nga PDK publikisht që të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit të tyre parlamentar mund të na e sjellin në seancë dhe të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun, që s’është i VV-së. Unë garantoj si kryetar i LVV-së dhe si kryeministër që 62 deputetë do të jenë aty për të votuar projektligjin për Dhomat e Specializuara paraditen e së enjtes. Nëse PDK është kundër, i them thuaje këtë me votë. Po u them votoni kundër, veç votoni. Mos bojkotoni Kuvendin, shfrytëzoni të drejtën tuaj kushtetuese”, tha më herët Kurti.
Kryeministri argumentoi se zgjedhja e presidentit dhe çështja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nuk duhet të kushtëzojnë njëra-tjetrën. Sipas tij, presidenti duhet zgjidhur sot për të shmangur zgjedhjet e reja, ndërsa beteja për ish-krerët e UÇK-së kërkon një strategji më afatgjatë.
“Çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë nuk e kemi ndërlidhur me zhvillimet e brendshme dhe as me çështjen e presidentit. Këto janë tema të ndara, por që i tejkalojnë të gjitha partitë. Janë çështje të interesit të përbashkët kombëtar. Për katër të dënuarit në shkallë të parë ne besojmë për korrigjim në Apel, ndërsa në anën tjetër një strategji shtetërore kombëtare për ta fituar këtë betejë”, deklaroi ai.
Kurti paralajmëroi se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte Kosovën në zgjedhje të reja dhe do të pengonte, sipas tij, pikërisht angazhimin që kërkohet për procesin në Hagë.
“Nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që kemi para nesh. Moszgjedhja e presidentit të Kosovës na çon në zgjedhje, por na pamundëson të merremi me strategjinë kombëtare dhe Apelin, që është shumë i ngutshëm”, tha Kurti.
Por ky propozim i Kurtit ra, pasi Bekim Sejdiu deklaroi se kishte hequr dorë përfundimisht nga kandidatura për të qenë President i Kosovës. Ai tha se për këtë vendim ka njoftuar edhe kreun e LVV-së, Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
PDK ka kërkuar më herët që fillimisht të votohet në lexim të dytë ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe vetëm më pas të vazhdohet me presidentin. Bedri Hamza deklaroi më herët sot se nuk do të zhvillojë takim tjetër me Kurtin pa u votuar më parë ligji. Ndërkohë pas deklaratave të kreut të LVV-së, Hamza tha në një konferencë për media se marrëveshjen për Bekim Sejdiun si kandidat për President, Kurti s’e ka bërë me PDK-në.
“Marrëveshja për zotin Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në. Është marrëveshje me një subjekt tjetër politik. Dhe i patë lajmet, që veç është hajt të flasim, të shesim mjegull”, tha Hamza.
Ndërkohë, para Kuvendit po zhvillohet për të dytën ditë protesta me kërkesën për votimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Organizatorët kanë paralajmëruar se nuk do të tërhiqen derisa ligji të votohet.












