
Komunikimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, po zhvillohet tashmë përmes konferencave për media, ndërsa palët nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.
Hamza ka hedhur poshtë ofertën e dytë të Kurtit për kalimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale dhe zhvillimin e votimit për Presidentin në të njëjtën seancë.
Më herët, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të votojë që sonte në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Gjykatën Speciale, nëse PDK-ja mbështet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për President të Kosovës.
Por Hamza e cilësoi këtë propozim si të papranueshëm.
“Kjo nuk është aspak serioze”, tha Hamza, duke shtuar se tema po tentohet të shndërrohet në “pazare të minutave të fundit”.
Kreu i PDK-së akuzoi Kurtin se po tenton ta përdorë çështjen e ligjit si mjet presioni politik për të siguruar zgjedhjen e Presidentit.
Sipas Hamzës, synimi i Kurtit është të ketë “autoritet të plotë” mbi institucionet kryesore të Kosovës.
“Qëllimi është si ta përdorë ligjin thjesht dhe direkt për shantazh për ta arritur qëllimin politik, për ta pasur një president politik dhe për ta përmbyllur plotësisht kapjen e institucioneve të shtetit”, deklaroi Hamza.
Hamza tha se komunikimin e fundit me Kurtin e ka pasur gjatë mesditës së sotme. Sipas tij, ai i ka bërë të qartë kryeministrit se për PDK-në fillimisht duhet të votohet në lexim të dytë ligji për Gjykatën Speciale dhe vetëm më pas mund të diskutohet për një marrëveshje për Presidentin.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës duhet të kalojë ligji leximin e dytë dhe pastaj mund të flasim dhe të kemi marrëveshje për presidentin”, tha Hamza./Versus.al

