Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një propozim të ri ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në përpjekje për të kapërcyer ngërçin institucional dhe për të shmangur një krizë të re politike.
Në një konferencë për media, Kurti deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të votojë fillimisht në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja angazhohet të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Kurti tha se LVV-ja ka dy emra që mund të propozohen për postin e presidentit: kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-deputeten e PDK-së, Feride Rushiti.
“Glauk Konjufca apo Feride Rushiti, nëse do opozita”, deklaroi Kurti.
Ai propozoi që Kuvendi të mblidhet në një seancë me dy pika të rendit të ditës, duke i lidhur kështu votimin për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara me zgjedhjen e presidentit.
“Pra, le të bëjmë sonte një seancë Kuvendi me dy pika: votimi i projektligjit të dytë për Specialen dhe zgjedhja e presidentit”, tha kryeministri.
Kurti kërkoi nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, që të japë zotimin se deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në procesin e votimit për presidentin.
“Le të dalë dhe të zotohet Hamza se deputetët e LVV-së votojnë njërin nga këto propozime”, u shpreh Kurti.
Propozimi i kryeministrit vjen në një moment kritik për politikën kosovare, ndërsa partitë po përballen me afatin për zgjedhjen e presidentit dhe rrezikun e shpërndarjes së Kuvendit e shkuarjes në zgjedhje të reja në rast se nuk arrihet një marrëveshje politike.

